Në organizim të Këshillit të Evropës dhe Delegacionit të Bashkimit Evropian në Republikën e Maqedonisë së Veriut, sot u mbajt promovim zyrtar onlajn i uebfaqes www.pravnapomos.mk, përmes të cilës qytetarët mund të informohen për ligjin, të cilën shteti ua jep në formën e Ndihmës Ligjore Falas.
Ministri i Drejtësisë, Bojan Mariçiq në fjalën e tij theksoi se gjuha juridike është shpesh e paqartë për një numër të madh të qytetarëve, të cilët përballen me vështirësi në ushtrimin e të drejtave të tyre të garantuara me ligj, por gjithashtu që qytetarët e varfër nuk mund të mbulojnë shpenzimet në gjykata për të zgjidhur një kontest në natyrën juridike.
Probleme të tilla më shpesh hasen nga qytetarët e varfër dhe anëtarët e kategorive të ndryshme të komuniteteve të margjinalizuara, siç janë romët, prindërit e vetëm, viktimat e dhunës në familje dhe personat me aftësi të kufizuara.
Mariçiq theksoi se përmes sistemit të Ndihmës ligjore falas, garantohet që qytetarët që janë në një situatë të vështirë financiare mund t’i drejtohen Ministrisë së Drejtësisë, zyrave të saj rajonale dhe organizatave të shoqërisë civile dhe të kërkojnë ndihmë juridike ose të pajisen me një avokat, i cili do të paguhet nga Buxheti i Ministrisë.
Ministri i Drejtësisë inkurajoi qytetarët të vizitojnë uebfaqen www.pravnapomos.mk dhe të kërkojnë ndihmë juridike falas.
Mariçiq gjithashtu theksoi se gjatë ditës së nesërme pritet ulje e madhe e taksës maksimale gjyqësore, e cila ka qenë 48.000 denarë deri më tani, nëse Parlamenti e miraton këtë propozim. Tani do të zvogëlohet për tetë herë dhe do të arrijë në maksimum prej 6.000 denarëve. Me këtë, shpenzimet gjyqësore për qytetarët do të ulen ndjeshëm, gjë që do ta bëjë drejtësinë më të arritshme për ta.
Kjo ngjarje u organizua në kuadër të programit “Instrumenti Horizontal për Ballkanin Perëndimor dhe Turqinë II” – një iniciativë e përbashkët e bashkëfinancuar nga Bashkimi Evropian dhe Këshilli i Evropës, zbatuar nga Këshilli i Evropës, i cili synon të ndihmojë përdoruesit në Evropën Juglindore që t’i zbatojnë standardet e Këshillit të Evropës dhe Bashkimit Evropian, në kuadër të procesit të para aderimit.