Me rastin e Ditës evropiane kundër trafikimit me njerëz sot do të mbahet debat onlajn me temë “Parandalimi dhe luftimi i trafikimit të qenieve njerëzore në Maqedoninë e Veriut”, ku do të drejtohet sekretarja shtetërore dhe koordinatore nacionale për luftë kundër trafikimit të qenieve njerëzore Magdalena Nestorovska.
Në debat pritet të marrin pjesë gazetarë, përfaqësues të mediave dhe shoqëria civile.
Ngjarja është organizuar në aksionin e përbashkët të Bashkimit Evropian dhe Këshillit të Evropës për “Parandalimi dhe luftimi i trafikimit të qenieve njerëzore në Maqedoninë e Veriut”, në bashkëpunim me Komisionin kombëtar për luftimin e trafikimit të qenieve njerëzore dhe me pjesëmarrjen e Qendrës ndërkombëtare për zhvillimin e politikave të migracionit.
Gjatë kësaj ngjarjeje, gazetarët, korrespondentët dhe përfaqësuesit e mediave do të kenë mundësinë të dëgjojnë dhe shkëmbejnë mendime mbi kornizën institucionale për parandalimin dhe luftimin e trafikimit të qenieve njerëzore dhe se si mund të përmirësohet raportimi mediatik i rasteve të trafikimit me njerëz.
Ky aktivitet është organizuar në kuadër të programit “Instrumenti horizontal për Ballkanin Perëndimor dhe Turqinë 2019 – 2022”, i bashkëfinancuar nga Bashkimi Evropian dhe Këshilli i Evropës, ndërsa i zbatuar nga Këshilli i Evropës.