Ministrat e Punëve të Brendshme të rajonit do të takohen nesër në Shkup, në kuadër të aktiviteteve të Procesit të Berlinit, ku do të prezantohet ideja për lëvizje të lirë vetëm me letërnjoftime mes 6 vendeve të rajonit.
Ministri i Jashtëm i Maqedonisë së Veriut, Bujar Osmani duke prezantuar sot aktivitetet e samitit Procesit të Berlini që këtë vit mbahet në Sofje dhe në bashkë – kryesim të Maqedonisë së Veriut dhe Bullgarisë, tha se vet ideja e këtij procesi është nxitja e bashkëpunimit rajonal dhe përshpejtimi i eurointegrimit të rajonit, shkruan Portalb.mk.
“Aktivitetet fillojnë nga nesër me takimin e ministrave të Punëve të Brendshme që do të bashkë – kryesohet nga dy ministrat e brendshëm të Maqedonisë së Veriut dhe Bullgarisë këtu në Shkup dhe këtu ideja është që të prezantohet ideja për lëvizje të lirë me letërnjoftime ndërmjet gjitha 6 vendeve të Ballkanit Perëndimor dhe vlerësoj se kjo do të jetë një vlerë e shtuar në ndërlidhjen dhe bashkëpunimin rajonal dhe lëvizjen e lirë të njerëzve dhe mallrave”, deklaroi Osmani.
Ndërkohë, më 5 nëntor do të zhvillohet takimi i ministrave tëEkonomisë ku do të prezantohet bashkëpunimi ekonomik rajonal, është faza e dytë për të krijuar tregun e përbashkët rajonal dhe këtu do të inkorporohen edhe 4 iniciativa të cilat u nxitën në të ashtuquajturën iniciativa e mini-shengenit.
I pyetur rreth mundësisë për mos mbajtjen e konferencës së parë ndërqeveritare në dhjetor për shkak të mosmarrëveshjeve me Bullgarinë, Osmani tha se kjo do të ishte mos sukses edhe për vendin edhe për Bullgarinë edhe për kryesimin gjerman, por edhe për të gjithë pjesëmarrësit në Procesin e Berlinit.
“Duhet të pranojmë se prej tani do të duhet të kërkojmë konsensus me 27 vende anëtare. Në të gjitha 130 hapat mund të ndodhë që një vend anëtar të mos jep vërtetim. Në raport me Bullgarinë, unë mendoj se ekziston hapësirë nga dy palët për rëndësinë e momentit ekzistues dhe me punën e komisioneve dhe politikës të gjejmë mënyrë për përparim”, deklaroi Osmani.
Procesi i Berlinit si iniciativë filloi në vitin2014 nën ombrellën e kancelares gjermane, Angela Merkel si iniciativë për të nxitur bashkëpunimin rajonal dhe për të për të përshpejtuar integrimin evropian të vendeve të Ballkanit Perëndimor dhe pastaj kryesimi u mor nga vendet anëtare të BE-së. Këtë vit për herë të parë u miratuar vendim që kryesim me këtë iniciativë të kenë edhe vendet kandidat të rajonit. Maqedonia e Veriut është vendi i parë kandidat që bashkë me një vend anëtar bashkë-kryeson me këtë proces.