Komisioni Shtetëror për Parandalimin e Korrupsionit ka hapur lëndë pas një denoncimi anonim për keqpërdorim të mjeteve të BE-së nga programet evropiane si Erasmus plus, Euridika nga ana e drejtoreshës së Agjencisë Nacionale për Programe Arsimore Evropiane dhe Mobilitet lidija Dimova.
Denoncimi është dorëzuar edhe deri në MPB, Drejtorinë për Polici Financiare, ndërsa ishin njoftuar, mes tjerash edhe BD i kësaj Agjencie Nacionale, si dhe sekretariati i përgjithshëm i Qeverisë, SÇE, MSHIA. Nuri Bajrami anëtar i Komisionit për Antikorrupsion në konferencën e sotme për media informoi se për shkak të përcaktimit të gjendjes faktike për akuzat në denoncim, janë kërkuar informacione edhe nga MASH si themeluese e kësaj agjencie nacionale, nga Inspektorati Shtetëror i Arsimit dhe Inspektorati i Punës.
“Më 26 qershor, të këtij viti morëm informacione nga MASH se është realizuar mbikëqyrje dhe janë konstatuar parregullsi financiare, gjegjësisht lëshime, dëm material, pas çka nga Ministria është dorëzuar padi penale deri në PTHP”, tha Bajrami.
Denoncimi më vonë ishte plotësuar deri te Drejtoria për Polici Financiare. Inspektorati Shtetëror i Punës, mes tjerash, ka konstatuar se nga drejtoresha Dimova ishin lidhur 107 marrëveshje të cilat dalin nga thirrje publike për analizë, për angazhimin e këshilltarëve profesionistë, por ka konstatuar se veprimet nuk janë realizuar si duhet gjatë lidhjes së këtyre marrëveshjeve.
Nga KSHPK-ja kanë kërkuar edhe informacion dhe kanë marrë vërtetim nga PTHP se procedura për këtë lëndë po vijon.
Ky rast do të denoncohet nga MASH në raportin e tetorit të cilin për çdo vit e dërgon në KE vendi ynë, ndërsa në fillim të qershorit, ishte denoncuar edhe nga zyra pranë Ministrisë së Financave – AFKOS, Departamenti për Luftimin e Mashtrimeve të Mjeteve Evropiane.
Është hapur edhe lëndë e formuar pas një denoncimi anonim sa i përket zgjedhjes së drejtorit të FSSHM.
Njëherësh, njërit prej drejtorëve më 26 maj 2019, i ka kaluar mandati, por nuk është publikuar konkurs publik nga BD siç e kërkon Ligji dhe pas mandatit të kaluar prej një muaj e 10 ditë përsëri më 4 korrik, të të njëjtit vit, ishte emëruar për u.d. të Fondit drejtori i njëjtë, që është në kundërshtim me Ligjin për Sigurim Shëndetësor. Bajrami sqaroi se gjatë shqyrtimit të këtij rasti (me Orhan Ramadanin) kishin gjetur edhe një shkelje të tillë të Ligjit me emërimin për u.d. drejtor të Danaill Donçev (më 3 gusht 2018 është emëruar për u.d. pas shkarkimit të Sasho Stefanovskit, pas 6 muajve konkurs nuk ishte shpallur dhe më 6 shkurt edhe një herë ishte emëruar për u.d. drejtor).
“Kompetenca për shpalljen e konkursit për zgjedhje të drejtorëve është e BD, por në rast se shkarkohet drejtori për çfarëdo lloj arsye atëherë nuk shpallet konkurs, ndërsa Qeveria emëron ushtrues detyre dhe menjëherë duhet të fillojë procedurë nga ana e BD për zgjedhje të drejtorit, ligjet nuk respektohen, ndërsa në këtë rast ka lëshime edhe nga Qeveria edhe nga ministri. Propozim vendimi ynë është që të ngritet iniciativë për shkarkimin e Bordit Drejtues të FSSHM”, tha Bajrami.