Emërimin e drejtorëve të rinj Qeveria do ta fillojë nga java e ardhëshme. Kryeministri Zoran Zaev thotë se si fillim do të niset me emërime, ndërsa deri më 15 tetor duhet përfundojnë procedurat për hapjen e konkurseve për drejtorë, anëtarë të bordeve drejtuese dhe mbikëqyrëse etj. Zaev thotë se duhet respektuar procedurat të cilat i proklamon Qeveria përmes konkurseve, CV-së dhe letrave motivuese, ndërsa në disa çështje kadrovike duhet pyetur edhe ministrat. Gjatë marrëveshjes për Qeveri, partnerët e koalicionit janë marrë vesh për ndryshimin e drejtorive dhe kuadrove. Gjatë këtij mandati LSDM-ja do të udhëheqë me ndërmarrjet publike si “Rrugët Shtetërore”, Postën dhe Fondin Shëndetësorë, ndërsa BDI me MEPSO-n, Agjencinë e Barnave dhe AEK.
“Pritjet e mia janë që të gjitha emërimet dhe procedurat për emërime të mos zgjasin më shumë se 15 ditët e para të tetorit. Pra procedurat do të nisin në këto pak ditë të shtatorit dhe 15 ditët e para të muajit të ardhshëm, duke përfshi brenda tyre edhe afatet për zgjedhjen e tyre”, tha Zoran Zaev, kryeministër.