Vijojnë të dalin në pah pakënaqësitë në opozitaren maqedonase VMRO-DPMNE. Me kërkesë për largim të kryetarit aktual, Hritiajn Mickoski, në kongres të jashtëzakonshëm dolën edhe anëtarët e komitet komunal të VMRO-DPMNE-së në Aerodrom. Përmes një deklarate të publikuar në një kanal të sapokrijuar me emrin “Iniciativa për kongres të jashtëzakonshëm”, anëtarët e kësaj partie kërkojnë reforma urgjente.
“Partia është në në gjendje të dëshpëruar. VMRO-DPMNE kurrë nuk ka qenë më e dobët. Asnjëherë në historinë e partisë nuk ka pasur një ndarje të këtillë midis anëtarëve, si dhe ndërmjet anëtarëve të kryesisë. Këto janë vetëm disa nga arsyet pse vendosëm të flasim publikisht dhe të përpiqemi që zëri ynë të dëgjohet nga udhëheqësia e partisë.”,- tha anëtari i VMRO-DPMNE-së – Aerodrom, Joakim Dimulkov.
Por, pavarësisht pretendimeve të grupit që doli në mbështetje të “Iniciativës për kongres” në këtë parti, kryetari i komitetit të partisë në Aerodrom, Dejan Mitevski, përmes një statusi në rrjetin social Facebook, theksoi se nuk e mbështet një gjë të tillë dhe se qëndrimi i shprehur nga disa anëtarë nuk përfaqëson vullnetin e shumicës së kësaj partie në Aerodrom.