Ministrja e Financave Nina Angellovska dhe përfaqësuesi i Zyrës së USAID-it, Erik Janovski nënshkruan marrëveshje, me të cilën, Qeveria amerikane siguroi 16 milionë dollarë për Maqedoninë e Veriut, që synon uljen e korrupsionit, integrimin e të rinjve në shoqëri dhe rritjen e konkurrencës ekonomike.
Siç kumtoi Ambasada e SHBA-së në Shkup, marrëveshja parashikon mbështetje për aktivitetet e autoriteteve qendrore dhe lokale për të përdorur dhe menaxhuar me sukses burimet financiare dhe zbatimin e mekanizmave të përgjegjësisë, punën e Komisionit Shtetëror të Zgjedhjeve për të zhvilluar zgjedhje të lira dhe korrekte dhe të përcjellë financimin dhe shpenzimin e partive politike gjatë zgjedhjeve, të organizatave së shoqërisë civile, për t’u angazhuar në mënyrë konstruktive në politikat dhe praktikat publike për përgjegjësi më të madhe dhe sundim të ligjit, si dhe Ministrisë së Arsimit dhe Shkencës për të promovuar kohezionin ndëretnik dhe kulturë qytetare mes fëmijëve dhe të rinjve.
Parashikohen edhe mjete për kornizën ligjore për prodhimin e energjisë ripërtëritëse, si ndihmë për rritjen e investimeve në prodhimin e energjisë elektrike vendore, uljen e varësisë nga importi i energjisë dhe mundësimin e qëndrueshmërisë së sistemit të energjisë.
“Qëllimi ynë i përbashkët është Maqedoni e Veriut, me prosperitet, gjithëpërfshirëse dhe vetqëndrueshme. Duke luftuar korrupsionin, duke krijuar mundësi për të rinjtë dhe duke mbështetur zhvillimin ekonomik, ne mundohemi të ndihmojmë Maqedoninë e Veriut të arrijë potencialin e saj, si vend evropian me prosperitet, i integruar plotësisht në institucionet transatlantike”, deklaroi ambasadorja amerikane në vend, Kejt Meri Bërnz.
Ministrja Angellovska theksoi se vendi e vlerëson zgjerimin e partneritetit me SHBA-në dhe angazhimin për të arritur qëllime të përbashkëta.
“Kjo marrëveshje është dëshmi e partneritetit tonë, tani edhe nga pozita e aleatëve të NATO-s. Ky bashkëpunim ka rëndësi të madhe për ne, veçanërisht në mjedisin e ri global, të krijuar nga Kovid-19, të cilit duhet t’i përgjigjemi dhe të vazhdojmë me progres rrugën tonë drejt Bashkimit Evropian”, shtoi Angellovska.
Që nga viti 1993, e deri më tani, SHBA kanë investuar më shumë se 1,2 miliardë dollarë në vend, përfshirë dhe më shumë se 830 milionë dollarë përmes USAID.
“USAID është agjenci udhëheqëse e zhvillimit ndërkombëtar në botë dhe nxitës që çon në arritje zhvillimore. Puna e USAID-it promovon sigurinë kombëtare të SHBA-së dhe prosperitetin ekonomik, pasqyron bujarinë amerikane dhe ndihmon vendet që bashkëpunojnë në rrugën e zhvillimit të pavarur dhe të qëndrueshëm”, thuhet në kumtesën e Ambasadës amerikane.