Pas tri orëve bisedime përfundoi takimi i liderëve të partive politike, kryeministrit Oliver Spasovski dhe i kryetarit të Kuvendit Talat Xhaferi te presidenti Stevo Pendarovski në Vilën Vodno për terminin e zgjedhjeve të parakohshme parlamentare. Pritet që gjatë deklaratave të cilat po vijojnë ta kumtojnë rezultatin e takimit.
Për shkak të respektimit të masave për parandalim nga virusi korona takimi po mbahet në ambient të hapur nën tenda, në ballkonin e Vilës Vodno. Të gjithë pjesëmarrësit në takim janë me maska dhe janë të ulur në distancë nga njëri-tjetri.
Në takim marrin pjesë kryetari i LSDM-së, Zoran Zaev, i VMRO-DPMNE-së Hristian Mickovski, i BDI-së Ali Ahmeti, i Aleancës për Shqiptarët, Ziadin Sela, i Alternativës Afrim Gashi, i Lëvizjes Besa Bilall Kasami si dhe përfaqësues të PDSH-së.
Tema kryesore në takimin e liderëve është termini i mbajtjes së zgjedhjeve të parakohshme parlamentare, të cilat ishin caktuar më 12 prill, por ishin shtyrë me urdhër të Qeverisë për shkak të shpalljes së gjendjes së jashtëzakonshme dhe përhapjes së Kovid-19. Liderët gjithashtu pritej që të flisnin edhe për vazhdimin eventual të gjendjes së jashtëzakonshme, për gjendjen me virusin korona në vend dhe rekomandimet e autoriteteve shëndetësore, dhe si të zbatohet fushata dhe votimi, ndërsa të mbrohen qytetarët.