Mungesë e marrëveshjes në mes të kryetarit të Komunës së Tetovës dhe Drejtorit të NP Parkimi i Qytetit – Tetovë me të cilën do të përcaktohen të drejtat, detyrimet dhe përgjegjësitë e ndërsjella, mungesë e sistemit të kontrollit të brendshëm, mungesë e procedurave për lëvizjen e dokumentacionit, parregullsi në llogaritjen e pagave të punonjësve, mosrespektim i Ligjit për Prokurimin Publik, diferenca në paratë e paraqitura në bilanc dhe ato në llogarinë bankare. Këto janë pjesë e lëshimeve, parregullsive dhe shkeljeve të procedurave dhe ligjeve të regjistruara në funksionimin e parkimit të NP Parkimi i qytetit – Tetovë, e që janë shënuar në raportin e ri të auditorit shtetëror, shkruan analiza javore ekonomike e Portalb.mk.
Është marrë kredi pa u caktuar se për çka do të shpenzohen paratë …
“Auditimi shprehu mendim të pavolitshëm për raportet financiare të NP Parkimi i qytetit – Tetovë dhe pajtueshmërinë e transaksioneve financiare dhe informacioneve të pasqyruara në raportet financiare me legjislacionin përkatës” – është konstatimi me të cilin fillon raportin e auditimit kushtuar punës së Ndërmarrjes publike Parkimi i Qytetit – e cila “jeton” me paratë që banorët e Tetovës i paguajnë për parkim në territorin e këtij qyteti.
Mbi të gjitha, auditorët thonë se ato “po zbardhin” lëshime në mënyrën e përzgjedhjes së strukturave të menaxhimit.
“Në kushte kur ende nuk është zgjedhur drejtori në konkursi publik, një kohë të gjatë me NP ka menaxhuar u.d. drejtor. Numri i anëtarëve të Bordit drejtues të zgjedhur me Vendim të këshillit të Komunës Tetovë është më i madh se numri i paraparë me Statut “- thuhet në raport.
Një nga shkeljet më serioze ligjore, sipas auditimit, është borxhi i NP në vlerë prej 55.300 euro nga person juridik – një hua që është marrë pa Vendime nga Bordi menaxhues dhe këshillit të Komunës Tetovë.
“Në marrëveshjet e huas nuk është specifikuar baza e huamarrjes dhe për çfarë do të përdoren këto para. Huazimi i NP pa Vendime të miratuara më parë nga Bordi drejtues dhe këshilli i Komunës Tetovës ka për efekt rritje të paligjshme të detyrimeve në dhe punës jo transparente me mundësi të keqpërdorimit të parave “- theksojnë auditorët dhe zbuluan më tej se në vitin 2016, 2017, 2018 NP ka shfaqur humbje në operacionet financiare që e cila deri në fund të vitit 2018 ka arritur në rreth 162,000 euro dhe as Bordi drejtues e as drejtori nuk kanë sjellë vendime as nuk kanë marrë masa për të mbuluar ose eliminuar humbjet në gjashtë muajt në vijim.
“Me këtë nuk është përmbushur detyrimi për transparencë në marrëdhëniet financiare,” ka përfunduar auditimi.
Janë identifikuar lëshime serioze në procedurat e kontabilitetit.
“Nuk janë ndërmarrë veprime për të përgatitur, miratuar dhe zbatuar politikat e kontabilitetit dhe për përgatitje të raportit mbi qarkullimin e parave, përkatësisht ato nuk janë pjesë përbërëse e raporteve financiare për periudhën e raportimit, por edhe në vitet e mëparshme që nuk është në përputhje me Ligjin për shoqëritë tregtare” – kanë theksuar auditorët dhe vënë në pah se gjatë auditimit NP nuk ka paraqitur dokumente të duhura që do të vërtetonin që sipas ligjit, ishin përgatitur raporte tremujore dhe gjashtëmujore për punë. Auditorëve jo vetëm që nuk u janë prezantuar dokumente për të vërtetuar që Bordi mbikëqyrës, siç kërkohet me ligj, ka mbajtur të paktën katër seanca në vit dhe kanë konstatuar që Bordi mbikëqyrës ka mbajtur vetëm një seancë në të cilën është dhënë mendim pozitiv për punën e NP-së.
Si janë përllogaritur pagat dhe përse nuk është përllogarit taksa komunale për parkim ….
Lëshime janë identifikuar edhe gjatë punësimit, por edhe gjatë përllogaritjeve së pagave. Kështu, në NP janë punësuar persona përmes marrëveshjeve për ndërmarrje me komunën e Tetovës, për të cilat U.D drejtor ka sjellë vendime për punësim dhe përcaktim në vende të punës në të njëjtin nivel, pa marrë pëlqimin nga Ministria e shoqërisë informatike dhe administratës dhe nga këshilli i Komunës Tetovë, që është në kundërshtim me Ligjin për punonjësit në sektorin publik.
“Drejtori nuk ka përgatitur Plan vjetor të punësimit për vitin 2016, 2017, 2018. Kjo situatë kontribuon në procedurë jo transparente, të padrejtë dhe jo konkurruese për zgjedhjen e kandidatit më profesional dhe më kompetent “- përfundon auditimi.
Për punonjësit e marrë nga komuna, pagat e tyre janë llogaritur sipas përllogaritjet e pagave që kanë marrë si punonjës në komunë. Është vërtetuar se në disa raste janë paguar orë pune jashtë orarit të rregullt, ndërsa punëtorët nuk kanë qenë të evidentuar se kishin ardhur në punë. Prandaj, theksohet me sa vijon:
“Auditimi gjeti raste kur janë paguar orët jashtë orarit, për punë të shtunave, në të cilat punonjësi nuk ka qenë i regjistruar në fletoren e orarit të punës. Auditimi ka vërtetuar se shtesat e pagave për punë në ndërrimin e dytë nuk janë paguar, që nuk është në përputhje me Ligjin për marrëdhënie pune. Kjo situatë ka për efekt përllogaritje të pasaktë dhe të gabuar të pagave dhe shtesave të pagave për punonjësit e NP”.
Numri i të punësuarve me kontratë në vepër ndryshon në baza mujore, kështu që në vitin 2018 në një periudhë të caktuar ka pas 8-10 persona e më pas 2-4, ndërsa kompensim për angazhimin ka qenë i ndryshëm nga 15 000 denarë deri në 25 000 denarë.
Sipas legjislacionit, NP e ka pas për detyrim që mjetet e arkëtuara për taksë komunale t’i paguajë në përputhje me nenin 20 – Tarifën 8, në llogarinë përkatëse të Buxhetit të komunës Tetovë.
“Gjatë kontrollit të dokumentacionit, auditimi ka konstatuar se deri më tani taksa komunale mbi këtë bazë nuk është përllogaritur, regjistruar dhe nuk është paguar. Auditorët theksojnë që NP duhet ta përllogarit taksën komunale nga arkëtimi për parkim dhe ta paguaj atë në Buxhetin Komunal”.
Sipas Bilancit të suksesit, në vitin 2018 NP Parkimi i qytetit – Tetovë ka raportuar të ardhura nga shitjet (mbledhja e tarifave të parkimit) në shumë prej gati 320 000 euro dhe kjo shumë po rritet në krahasim me vitin 2017 kur ka qenë 245 000 euro. Në 2018, NP ka paraqitur humbje prej 66 500 euro.
Personi përgjegjës i ndërmarrjes publike nuk ka dërguar vërejtje në Projekt-raportin e auditimit ime të cilin praktikisht për herë të parë është vënë nën llupë funksionimi i NP Parkimi i qytetit – Tetovë.