Me rastin e Ditës së Evropës delegacioni i Bashkimit Evropian në vendin tonë organizoi ngjarje para platosë së spitalit të Përgjithshëm të Qytetit “8 Shtatori”. Ngjarja filloi me ngritjen e flamujve të Republikës së Maqedonisë së Veriut dhe të BE-së, pas çka u përkujtuan me një minutë heshtje viktimat nga Kovid-19.
Në këtë ngjarje foli kryeministri Oliver Spasovski i cili theksoi se sot kemi shkaqe të fuqishme dhe të mëdha për të festuar, ta festojmë idenë për Evropën.
“Qytetarët e vendit tonë e bënë zgjedhjen dhe ata janë krenar për zgjedhjen e tyre. E zgjodhëm të ardhmen, të ardhmen e Bashkimit Evropian sepse është ndërtuar në vlera në të cilat besojmë dhe të cilat i praktikojmë edhe ne. Ne i takojmë familjes evropiane, formalisht ende nuk jemi pjesë e BE-së, por e filluam rrugën”, tha Spasovski.
Ai i falënderoi të gjitha vendet anëtare të BE-së dhe ambasadorin Zhbogar në koordinimin e ndihmës të cilën e morëm nga BE-ja dhe për bashkëpunimin 24 orësh me familjen tonë BE.
“Republika e Maqedonisë së Veriut në tre vitet e fundit seriozisht vendosi të shpalosë faqe të reja në historinë e saj. Dolëm nga një krizë e thellë politike dhe i rivendosëm institucionet demokratike dhe sundimin e së drejtës. Ofruam rezultate konkrete dhe të qëndrueshme në zbatimin e reformave që kanë lidhje me BE-në dhe në marrëdhëniet e mira fqinjësore. U bëmë anëtarja e 30-të e NATO-s dhe këtë vit i fillojmë negociatat për anëtarësim në BE. Hapat e ardhshëm janë përgatitur dhe do të punojmë gradualisht me Komisionin Evropian dhe Këshillin Evropian që sa më shpejtë ta caktojmë konferencën e parë ndërqeveritare e cila do ta shënojë pjesën praktike të procesit të negociatave sipas metodologjisë së re”, theksoi kryeministri.
Me këtë, shtoi, e vendosim vendin tonë në rrugën e shpejtë të anëtarësimit në BE sepse ai është edhe koncepti ynë, koncept i bazuar në besimet e përbashkëta themelore dhe bindjeve për lirinë, për demokracinë dhe të drejtat e njeriut, për ekonominë e tregut si dhe për realizimin e mundësive korrekte ndaj themeleve të solidaritetit.
“Koronavirusi i ri shkaktoi një zbrazëtirë dhe na përballi me sfida të paparashikuara, por gjithashtu solli diçka pozitive. Ka treguar qartë se kontinenti evropian ka një fat të përbashkët. Mënyra e ballafaqimit me infeksionin tregoi se ne ndajmë të njëjtën kulturë dhe praktikë politike dhe theksuam nivelin e lartë të ndërvarësisë socio-ekonomike ndërmjet BE-së dhe Ballkanit Perëndimor që kanë një qëllim të fortë dhe të palëkundur që një ditë të jenë anëtarë të barabartë të Unionit”, tha Spasovski, duke shtuar se vendi në këtë periudhë korona është bindur që BE-ja e ndau kujdesin dhe ndihmën me vendin tonë, sikur të jemi tashmë anëtare të familjes evropiane.
Ambasadori evropian Samuel Zhbogar theksoi se BE-ja përfundimisht e udhëheq iniciativën për grumbullimin e mjeteve për zhvillimin e vaksinës për Kovid-19 e cila do të jetë në dispozicion për secilin në botë, me çmim të kapshëm.
“Kohët e vështira na japin mësime, por gjithashtu e shfaqin më të mirën tonë, më të mirën në shoqërinë tonë, më të mirën për njerëzimin. ky është shkaku se pse sot e shënojmë Ditën e Evropës këtu para SPQ ‘8 Shtatori’ si përfaqësues i të gjitha institucioneve shëndetësore”, tha Zhbogari i cili i falënderoi gratë dhe burrat të cilët janë në radhët e para të luftës kundër pandemisë dhe Ditën e Evropës ua kushtoi atyre.
Shtoi se nga kjo krizë dalim bashkë – anëtaret aktuale dhe vendet e ardhshme anëtare të BE-së dhe do të mësojmë nga vlera thelbësore evropiane, e ai është solidariteti.