Ministrja e Mbrojtjes dhe zëvendëskryeministre, Radmilla Shekerinska sot në konferencë për shtyp paralajmëroi se në periudhën në vijim pjesëtarët e Armatës do të jenë të pranishëm në numër të shtuar si mbështetje e Ministrisë së Punëve të Brendshme (MPB) dhe njësive të vetëqeverisjes lokale në të gjitha komunat ku ishte kërkuar ajo ndihmë.
“Mund të paralajmëroj se pjesëtarët e Armatës do të angazhohen plotësisht në Shkup, Tetovë, Gostivar, Dibër, Strugë, Ohër, Strumicë, Kumanovë, Manastir, Prilep, ndërsa gjatë ditës së sotme biseduam edhe konkretisht me Komunën Qendër, Veles, Kavadar dhe Rosoman. Presim që prania e këtillë më e madhe t’u ndihmojë komunave de MPB-së që të përballen me zbatimin e të gjitha masave për mbrojtje”, deklaroi Shekerinska.
Duke i përdorur kapacitete ushtarake, potencoi ajo, po përpiqemi të ndihmojmë dhe shpëtojmë jetë njerëzish.
Duke u përgjigjur në pyetjet e gazetarëve për angazhimin e Armatës në Kumanovë, Shekerinska tha se mbyllja e këtij qyteti ku ka numër të madh të infektuarish, do të thotë shpenzim i shumë resurseve, ndërkaq nuk o ta zgjidhë problemin.
“Medikamenti i dhe instrumenti i vetëm, të cilin e thonë të gjithë ekspertët është distancimi social dhe fizik në mbi dy metra. Ne mund ta mbyllim Kumanovën me dyer të padepërtueshme, por dilni nëpër rrugë të Kumanovës dhe nëse sërish shihni tollovi para bankave, marketeve, në park, njerëz të cilët nuk mbrohen plotësisht me pajisje, asnjë karantinë nuk do t’ju shpëtojë nga sëmundja”, tha Shekerinska.
Ajo theksoi se Armata është angazhuar në disa segmente për të ndihmuar në përballjen me përhapjen koronavirusit dhe krizës në përgjithësi.
“Së pari, ndihmë në kontrollin e kufijve dhe sigurimin e sigurisë, dhe pacënimin e kufijve të shtetit, së dyti, vendosje dhe ruajtje e pikave kontrolluese në hyrje dhe dalje në qytete apo komuna të caktuara, së treti, sigurim i infrastrukturës kritike dhe objekteve vitale, së katërti, vendosje e spitaleve fushore si i yni në Spitalin infektiv, dhe përdorimi i kapaciteteve ushtarake mjekësore dhe mbështetje për kapacitetet civile shëndetësore, sigurimi i ekipeve speciale për mbrojtje biologjike dhe kimike për kryerje të dezinfektimit, diçka që Armata e bën tashmë në disa komuna të mbarë vendit. Sigurimi i shërbimeve ndërtimore inxhinierike, siç e bënë ekipet tona inxhinierike në Klinikën universitare dhe afër Klinikës infektive, dorëzimi i pakove ushqimore për kategoritë e ndjeshme sociale, sigurimi i rajoneve dhe mbështetja e plotë për autoritetet lokale dhe MPB-së”, tha Shekerinska.
Ministrja, e cila dje për herë të parë e prezantoi Maqedoninë e Veriut si anëtare të barabartë të NATO-s në takimin telekonferencial të ministrave të mbrojtjes të vendeve të Aleancës kushtuar krizës me Kovid-19, tha se nga përvoja që e ndanë kolegët e saj, pothuajse edhe nuk ka armatë aleate e cila nuk i kryen detyrat e njejta.
Në takim u prezantuan përvoja për përballje me krizën, por nga aspekti i sektorit mbrojtës dhe armatave, që sipas Shekerinskës, do të ishte mirë të bëhet krahasimi se deri ku jemi ne, në cilën mënyrë reagojmë, dhe në çfarë mënyre e mobilizojmë dhe angazhojmë Armatën, ndërkaq i bëhet kjo në shtete të tjera.
“Më gëzoi fakti që pashë se përgjigja e armatave aleate për përballje me pandeminë me spektër të gjerë të aktiviteteve është pothuajse identike me mënyrën në të cilën e angazhuam armatën tonë dhe e shfrytëzuam për mbështetje të autoriteteve civile”, tha Shekerinska.
Në takim u bisedua se si vendet anëtare të NATO-s po përballen me pandeminë, por edhe në cilën mënyrë NATO-ja ndihmon në atë operacion dhe në cilën mënyrë mund të mobilizohet më shumë.
“U dakorduam si të ndihmojmë njëri-tjetrin në përballjen me krizën më të rënë shëndetësore, e cila definitivisht do të ketë edhe implikime financiare dhe ekonomike dhe e cila, siç shfaqën shpresë të gjithë, nuk duhet të kalojë në krizë sigurie. U dakorduam si kjo ndihmë të jetë e shpejtë, efikase, solidare dhe të tregojë në vepër se së bashku me të vërtetë jemi më të fuqishëm”, theksoi Shekerinska.
Ministrja mori urim për anëtarësimin e barabartë në NATO, por gjithashtu falënderoi për ndihmën që e mori Maqedonia e Veriut nga aleatët si SHBA-ja, Çekia, Hungaria, Turqia, Sllovenia, Norvegjia, Holanda, Britania e Madhe dhe Bullgaria.
“Në të njejtën kohë kjo ishte mundësia ta dërgojmë porosinë se nuk jemi shtet i cili vetëm pret ndihmë por se jemi shtet i cili ka kapacitet edhe të ofrojë ndihmë dhe për atë shkak i ofruam edhe kapacitetet tona mjekësore për bashkëpunim me KFOR-in të cilët praktikisht e morën mbështetjen e plotë logjistike edhe deri më tani nga shteti ynë”, tha Shekerinska.
Ajo njëherit bëri thirrje qytetarët t’i respektojnë masat për mbrojtje nga koronavirusi.