Në vend, deri më 25 mars. janë bërë gjithsej 1.000 teste në Institutin për shëndet publik. Teste bëhen masivisht edhe në spitalin privat Zhan Mitrev, ku nga 23 marsi janë bërë 835 testime apo pothuaj aq sa janë bërë edhe në spitalet shtetërore, shkruan IRL, transmeton Portalb.mk.
Një ditë para paraqitjes së rastit të parë të Kovid – 19, më 25 shkurt, Spitali klinik “Zhan Mitrev” në ueb faqen e vet ka publikuar që kryen teste për detektim të koronavirusit. Personi i parë i sëmurë te ne nga koronavirusi është regjistruar ditën e ardhshme më 26 shkurt dhe pacientja është testuar në Institutin për shëndet publik.
Prej atëherë çdo ditë rritet numri i të infektuarve, kurse më 11 mars janë regjistruar 11 të sëmurë me Kovid-19. Të njëjtën ditë nga spitali i kardiologut Zhan Mitrev kanë bërë të ditur se ka kapacitet edhe për akomodim të pacientëve të infektuar nga virusi, por sipas protokolleve mjekësore ata duhet t’i ridërgojnë në Spitalin për sëmundje infektive. Atëherë nga klinika “Zhan Mitrev” publikisht zbulojnë sa kushton një test për Kovid-19.
“Bëjmë testime rutinore për koronavirus dhe të gjitha viruset tjera. Laboratori jonë për Gjenetikë dhe mjekësi të personalizuar është i vetmi që ofron detektim të koronavirusit të ri vdekjeprurës (SARS-CoV-2) me RT-qPCR test sipas protokollit të CDC. Testimet bëhen rreptësisht me prenotim paraprak. Çmimi është 1500 denarë” – kanë njoftuar më 11 mars nga Klinika “Zhan Mitrev“.
Duke u rritur numri i personave të sëmurë, ashtu qytetarët të cilët kanë dyshime që kanë pasur kontakt me ndonjë të sëmurë ose kanë simptome të ftohjes ose gripi, kërkojnë mënyrë për t’u testuar. Sipas protokolleve të Institutit për shëndet publik teste bëhen vetëm për persona të cilët vijnë nga vende me rrezik të lartë ose të mesëm, të cilët kanë pasur kontakt me ndonjë të sëmurë ose kanë ndonjë nga simptomat e koronavirusit. Testet në laboratorin shtetëror janë falas, por meqë nuk mund secili qytetar të bën testim, pjesë e tyre drejtohen në spitalin e Zhan Mitrev. Aty testimi kushton 1500 denarë dhe janë në shpinë të pacientit.
“Tash më shtatë ditë jam në izolim për shkak të dyshimit se jam e infektuar nga Kovid-19. Nga Instituti për shëndet publik më paralajmëruan që do të më bëjnë test nëse më paraqiten simptome ose pasi të kalojnë 14 ditët e domosdoshme. Prandaj me iniciativë personale vendosa të bëj testim në Zhan Mitrev. Pagova 1500 denarë dhe ishte negativ. Mirëpo, gjithsesi ky test ishte vetëm për ngushëllimin tim, rezultati nuk është formal”, deklaroi një shkupjane e cila është në izolim.
Atë e konfirmon edhe ministri i shëndetësisë Venko Filipçe kur i publikon rezultatet nga testimet. Testi në klinikën Mitrev nuk është zyrtar dhe prandaj bëhen testime të reja në laboratorin e ISHP (Institut për shëndet publik). Ministri gjithnjë përsërit që nuk ka kuptim ndonjë pacient në periudhë kur zgjatë inkubacioni i sëmundjes për shkak se teorikisht rezultati mund të jetë negative deri në ditën e 13-të, kurse të jetë pozitiv në ditën e 14-të. Prandaj, theksoi që kombinimi I masave të rrepta për vetëizolim, ndërprerja e të gjitha kontakteve dhe testim pasi të kalojë periudha e inkubacionit janë më të përshtatshmet për rezultate më të sakta dhe më të përpikta.
IRL dërgoi pyetje në spitalin e Mitrevit për çmimin e një testi dhe prej ku blihen, kurse prej atje u përgjigjën.
“Çmimi blerës i testeve ndryshon vazhdimisht dhe është në rritje të konsiderueshme nga hera e parë kur janë blerë. Çmimi i fundit i prokurimit është 1.300,00 denarë me TVSH të përfshirë”, na informuan nga klinika private.
Më 20 mars ministri Filipçe ka deklaruar që në vend deri atë ditë gjithsej janë bërë 888 teste dhe paralajmëroi që do të bashkohen kapacitetet e dy laboratorëve – në Institutin për shëndet publik dhe në Klinikën “Zhan Mitrev”.
“Është sjell vendim për zgjedhje të sasisë plotësuese prej 1.000 teste, si dhe donacioni i paralajmëruar prej 1.000 testeve shtesë, me paralajmërim që 1.000 do të jenë në dispozicion çdo javë për vendin tone dhe 300 në çdo kohë në laboratorin e Klinikës “Zhan Mitrev”, ka thënë Filipçe.
Prej atëherë kanë kaluar gjashtë ditë, kurse testet në Zhan Mitrev edhe më tej janë në shpinë të qytetarëve.
“Testet ende paguhen. Sot do ta përfundojnë analizën, kontrollimin dhe takimet me të gjitha laboratorët që kanë shprehur interes dhe të cilat i plotësojnë kushtet. Kur të përfundojë këqyrja nga laboratori jonë, do të dërgohet propozim përkatës në Fond për t’u zmadhuar kapaciteti për testim”, ka thënë në pres konferencën e djeshme ministri Filipçe.
Deri më 23 mars në spitalin privat të kardiologut Zhan Mitrev janë bërë 835 teste, deklaruan nga spitali për IRL. Apo deri më tani qytetarët kanë paguar atje 1.252.000 denarë ose 20 mijë euro. Filipçe dje deklaroi që në laboratore shtetërore janë bërë mbi 1000 teste. Deri sot janë regjistruar 177 të sëmurë nga Kovid-19. Ai njoftoi që Fondi për shëndetësi, përveç për testim, do të nënshkruajë marrëveshje edhe me spitale që kanë shtretër për trajtim intensiv, ndërsa do të shfrytëzohen vetëm nëse kapacitetet shtetërore janë të mbushura.
Prej pardje edhe një laborator privat ka filluar testim për Kovid-19. Ky është laboratori Biotek, kurse çmimi për testim është 1500 denarë.