Krerët e shteteve dhe qeverive të Bashkimit Evropian e kanë konfirmuar vendimin e marrë të martën për fillimin e negociatave për anëtarësimin e Maqedonisë së Veriut dhe Shqipërisë.
Edhe pse ky vendim nuk ka asnjë rëndësi juridike, është e rëndësishme pesha e tij politike, veçanërisht në kushte kur BE-ja përballet me një nga krizat më të mëdha në histori – pandemia e Kovid-19.
Krerët e shteteve dhe qeverive të vendeve-anëtare të BE-së, në përfundimet e tyre të miratuara pas ditës së parë të samitit, unanimisht i miratuan përfundimet e ministrave të tyre të jashtëm dhe evropian.
Maqedonia e Veriut dhe Shqipëria duhet t’i fillojnë negociatat e aderimit sa më shpejt të jetë e mundur.
Samiti, i cili po mbahet përmes video-lidhjes dy ditët e fundit për shkak të krizës shëndetësore, është pothuajse tërësisht i përkushtuar krizës me koronavirusin dhe pasojat e saj ekonomike dhe sociale.
Në këtë drejtim, Bashkimi Evropian nuk ka arritur një konsensus për një përgjigje të përbashkët ndaj krizës ekonomike që e kërcënon BE-në në muajt e ardhshëm. Liderët vendosën t’ia përcjellin çështjen ministrave të financave për negociata të sërishme.
Një nga propozimet që po testohen është mundësia e lëshimit të “korona-bonove” që t’u ndihmohet vendeve më të goditura, sa më shpejt të dalin nga kriza, por Holanda qartë bëri të ditur se nuk do të mbështesë propozime të tilla. Një numër vendesh, kryesisht nga Evropa Veriore, janë në të njëjtin qëndrim si Holanda.
Deri më tani BE-ja ka rënë dakord se duhet të punojë në pesë prioritete kryesore: parandalimin e përhapjes së virusit, ndihmën për furnizimin e pajisjeve mjekësore, investimin në kërkime shkencore për trajtimin dhe vaksinën, përballjen me pasojat ekonomike dhe ndihmën e riatdhesimit të qytetarëve të BE-së të bllokuar jashtë vendit.
Vendet evropiane dhe institucionet e BE-së gjithashtu kanë rënë dakord në javët e fundit që rregullat e buxhetit duhet të bëhen më fleksibile në mënyrë që vendet të mund të përballojnë në mënyrë efektive pasojat ekonomike dhe sociale nga masat e izolimit.
Kryetari i Këshillit Evropian, Çarls Mishel pranoi se debatet në nivelin e liderëve kanë qenë të tensionuara, por edhe cilësore dhe se është hapur rruga e institucioneve të BE-së që në periudhën e ardhshme të arrijnë konsensus më të gjerë.