Nuk e di për çfarë u gëzuan ata që dje gjoja rrëzuan qeverinë e Albin Kurtit. Vetë u futën në kurthin që e ngritën kundër tij.
Ai dhe Vjosa Osmani dolën fitues moral. I zhveshën lakuriq oportunistët dhe hajnat politik, “çliruesit” që keqpërdorin vlerat e luftës për të ikur nga përgjegjësia për hajninë dhe për të mbajtur në pranga klientelizmi e krimi mbarë Kosovën, 20 vite pas ikjes së okupatorit të vërtetë.
Mirëpo, fitorja nuk është vetëm morale, por edhe faktike. Deri në zgjedhjet e reja në Kosovë, kurdo qofshin ato, kryeministër në detyrë do të jetë mu Albin Kurti. Bile edhe me shpalljen e gjendjes së jashtëzakonshme për shkak të virusit poqë se i bie ndërmend dikujt, e që e përdorën si justifikim për ta sulmuar Thaçi e aleatët e tij, roli i Kurtit nuk do të jetë aspak i parëndësishëm, por qëndror.
E se veprimet e tij do të jenë të paluhatshme, e demonstroi menjëherë pas rrëzimit të qeverisë. Në vend se ta frikësojnë, si duket e inspiruan akoma më shumë. Në ditët që vijnë, tek do të qartësohet buzqeshja dhe qetësia enigmatike e Kurtit para votëbesimit, do të qartësohet se hesapi i hajnave që kanë bërë në tavolinën ku ndajnë plaçkën, nuk do t’u dalë bash ashtu siç e kanë paramenduar në pazarin politik.
Pa mundësi për të keqpërdorur buxhet e institucione, pa mundësi për të keqpërdorur polici, inspeksione, etj, të zhveshur prej fuiqisë së pushtetit si dhe të diskredituar moralisht, kundërshtarët e Albinit dhe Vjosës po presin zgjedhjet dhe verdiktin e popullit, të entuziazmuar prej “fitores” së djeshme. Të gjorit…