Ministrat e financave të vendeve të Bashkimit Evropian do të diskutojnë të hënën për ndikimin e koronavirusit dhe masat për përkrahjen e ekonomisë. Megjithatë, ata nuk do të takohen fizikisht, siç kanë bërë deri më tani, por do të bisedojnë përmes lidhjes me video.
Mario Centeno, udhëheqës i grupit të ministrave të financave të vendeve të BE-së, tha përmes një postimi në Twitter se ndjenja e urgjencës dhe përpjekjet për koordinim janë të pashembullta.
Grupi i ministrave pritej të takoheshin të hënën në Bruksel, me agjendë fillestare vetëm për anëtarët e BE-së, përfshirë rishikimin e gjendjes në Greqi dhe diskutimet për ndikimin e koronavirusit, ku do të përfshiheshin ministrat e 27 vendeve anëtare.
Sipas “Reuters”, Centeno, i cili është ministër i financave në Portugali, tha se diskutimi do të zhvillohet përmes video-lidhjes shkaku i masave të ashpra kundër përhapjes së virusit Covid-19./ Gazeta Sinjali/