Shkruan: Petrit Saraçini
Na batërdisën me këto lajmet e kota kush çka ka thënë në të kaluarën mes partive shqiptare në Maqedoni. Sepse, në bllokun e partive shqiptare, të gjitha kanë thënë ç’mos për njëra-tjetrën, më pas kanë bërë koalicione, platforma bile, janë pajtuar e fotografuar, pastaj kanë prishur koalicionet dhe janë sharë. Nëse diku hahet fjala e thënë, buka me turp – pa fije turpi, ajo është politika.
Për shembull, është qesharake të dëgjosh Ali Ahmetin të flasë për “sojuzin” e Besës me LSDM-në, kur po ai bëri “sojuz” me LSDM-në që ia shpëtoi partinë e përgjysmuar dhe pushtetin në komuna para dy viteve. Harron Ali Ahmeti se mu ai hyri në historinë e “sojuzeve” parazgjedhore, mirëpo në nivel lokal. Tani nuk i pëlqen “sojuzi” në nivel nacional.
E njëjta vlen për sulmet e ndërsjella mes Aleancës, Alternativës, Besës, PDSH-së, RDK-së…deri sa janë në koalicion apo bashkëpunim – vëllezër, e pastaj…
Aman mos na shisni parime. E ka marrë vesh moti populli se parime nuk keni, se nuk janë mall që shitet në politikë, sidomos në politikën e Ballkanit. Interesi është ai që ju prin.
Andaj, atë që do të shohë populli është oferta konkrete për ardhmëri, si dhe emrat konkretë që do ta zbatojnë. Para qytetarëve shqiptarë tani janë dy koalicione, dhe dy parti që do të garojnë veç e veç. Lereni të kaluarën., folni se çfarë do të bëni në të ardhmen.
Sepse, qytetarët nuk janë budallenj, dinë shumë mirë të zgjedhin. Kjo shitje e parimeve nuk u bën punë aspak, sidomos atyre që shkelin të gjitha parimet, vetëm për të qenë në pushtet.