Një ngjarje e rëndë ka ndodhur sot në Kosovë ku një zyrtare e policisë së Kosovës në Gjilan ka vrarë dy prindërit e saj, dy vëllezërit dhe më pas është vetëvrarë. Prokuroria Themelore në Gjilan, Departamenti për Krime të Rënda, ka njoftuar se sot rreth orës 13:00, nga një zyrtare policore janë vrarë 4 persona – anëtarë të familjes së saj dhe në fund ka kryer vetëvrasje.
“Sipas informatave të para, dyshohet se në lagjen “Bujanina”, në Gjilan, e ndjera V.B., zyrtare policore, në kuadër të Stacionit Policor në Gjilan, me armë zjarri ka privuar nga jeta dy prindërit dhe dy vëllezërit e saj, ndërsa, pastaj ka kryer vetëvrasje.
Në vendin e ngjarjes menjëherë kanë dalë policia, prokurori i rastit dhe ekipi mjekësor, të cilët edhe kanë konstatuar vdekjen e tyre, ndërsa me urdhër të prokurorit trupat e të njëjtëve do të dërgohen për autopsi, në Institutin e Mjekësisë Ligjore, në Prishtinë. Rasti është duke u hetuar, ndërsa për detajet e tjera do të informoheni me kohë.”, thuhet në njoftim. /Ballkanweb/