Ambasadori Richard Grenell – i dërguar i Presidentit amerikan Donald Trump, për bisedimet e paqes ndërmjet Kosovës dhe Serbisë, pas ndërmjetësimit që bëri për arritjen e marrëveshjes për ta hapur linjën ajrore Prishtinë-Beograd, ai tani është angazhuar që ta bëjë të njëjtën gjë edhe me trafikun hekurudhor ndërmjet dy vendeve.
Të mërkurën në mbrëmje (22.01.2020) ambasadori Richard Grenell erdhi në Kosovë me ç’rast u takua me Presidentin Hashim Thaçi, dhe të nesërmen ai shkoi në selitë e të dyja partive fituese nga zgjedhjet e 6 tetorit [Lëvizjes Vetëvendosje dhe Lidhjes Demokratike të Kosovës] për t’u takuar me krerët e këtyre dy subjekteve politike, shkruan Klan Kosova.
Pavarësisht asaj se VV dhe LDK nuk po mund ta arrijnë një marrëveshje për ta formuar Qeverinë e re, Grenell nuk deshi që vizita e tij në Kosovë të interpretohej si ndërhyrje në politikat e brendshme.
Ai tha se në Kosovë erdhi për t’i hapur rrugë zhvillimit ekonomik dhe se i mbetet spektrit politik që ta formojë Qeverinë e re. Por, bëri me dije se Kosova duhet ta heqë tarifën ndaj mallrave serbe, ndërsa Serbia duhet t’i japë fund fushatës për tërheqjen e njohjeve të Pavarësisë së Kosovës.
Pas vizitës në Prishtinë, Richard Grenell udhëtoi drejt Beogradit për t’u takuar me presidentin serb, Aleksandar Vuçiq [ashtu siç kishte paralajmëruar] të cilit po ashtu ia kërkoi që Serbia ta ndalojë fushatën kundër Pavarësisë së Kosovës.
Më pas Ambasada e Shteteve të Bashkuara në Beograd përmes një shkrimi në Twitter, njoftoi se ambasadori Grenell ka bërë të ditur se të gjitha palët janë pajtuar për vendosjen e trafikut hekurudhor ndërmjet Kosovës dhe Serbisë.
Sipas njoftimit të Ambasadës së SHBA-së në Beograd, detajet e kësaj marrëveshje priten të diskutohen sot (27.01.2020) në Berlin. /Klan Kosova/