Propozim-ligji për siguri në rrugë, që parashikon ulje të gjobave për personat fizik dhe juridik ka kaluar leximin e parë në Kuvend dhe pritet që para shpalljes së zgjedhjeve parlamentare të votohet, shkruan Portalb.mk.
Qytetarët e Maqedonisë së Veriut ende paguajnë dënime me tarifën e vjetër për shkeljen në komunikacion, ndonëse ligji është në Kuvend dhe i njëjti pret për t’u miratuar.
Ndryshimet e reja ligjore parashikojnë ulje të gjobave për disa shkelje në komunikacion.
Portalb.mk, e ka analizuar ligjin dhe në bazë të asaj që mund të shohim, gjobat për disa shkelje janë ulur për 50 euro, kryesisht të dënimeve që janë 300 euro, gjegjësisht janë ulur në 250, ndërkaq ato që janë 250 janë ulur në 200.
Ashtu siç mund të shihet në Infografik, mosrespektim i semaforit, gjegjësisht, vozitje me automjet derisa është e ndezur drita e kuqe e semaforit: Dënimi ka qenë 300 euro, tani do të jetë 250 euro
Lëvizje në korsi të kundërt: Dënimi ka qenë 250 euro, do të jetë 200. Nëse vozitë në anën e kundërt të rrugës njëkahëshe: Dënimi ka qenë 300 euro, do të jetë 250 euro.
Nëse e tejkaloi ndonjë automjet në urë, tunel, apo kthesë ku nuk ka dukshmëri: Dënimi ka qenë 300 euro, do të jetë 250. Tejkalim të automjetit përpara vizave të bardha: Dënimi ka qenë 300 euro, tani është 250.
Nëse me automjet nuk u jep përparësi këmbësorëve në viza të bardha: Dënimi ka qenë 300 euro, do të jetë 250 euro.
Nëse nuk i respektoni shenjat që i jep policia (me duar, zë dhe drita): Dënimi ka qenë 300 euro, do të jetë 250. Nëse në veturë vendos anti-radar, apo pajisje që e pengon matjen e shpejtësisë së veturës nga ana e autoriteteve: Dënimi ka qenë 300 euro, do të jetë 250 euro.
Ligji i ri parashikon edhe shfuqizimin e pikëve negative. Shoferët më nuk do të munden ta ndërrojnë gjobën me pikë negative, por të njëjtën duhet ta paguajnë.
Automjetet që nuk janë regjistruar më shumë se gjashtë muaj ose më shumë, policia do të ketë të drejtë t’i marrë.
Gjithashtu, policia do t’i marrë edhe automjetet që shkaktojnë zhurmë të madhe dhe e prishin rendin dhe qetësinë publike në afat kohor prej gjashtë muaj ose më shumë.
Qytetarët të cilët përdorin trotinete elektrike nuk do të lejohen të lëvizin nëpër rrugë dhe bulevarde, por vetëm në shtigjet e biçikletave. Në vendet ku nuk ka shtigje për biçikleta, lejohet përdorimi i trotuareve. Shpejtësia maksimale e lejuar gjatë lëvizjes nëpër shtigjet e biçikletave është 25 kilometra në orë, ndërsa në trotuar vetëm 6 kilometra në orë. Për siguri më të madhe, qytetarët të cilët drejtojnë trotinet natën duhet të mbajnë jelekë jeshilë fluoreshent, për të qenë të dukshëm për këmbësorët dhe pjesëmarrësit në komunikacion. Me ndryshimet në ligj gjithashtu parashihet edhe mosha për të drejtuar trotinet, përkatësisht persona nën moshën 14 vjeç nuk guxojnë të drejtojnë trotinete elektrike. Gjoba nëse nuk mbahet jelek është 50 euro, 80 euro për ngasje në rrugë, ndërsa nëse vozitni me shpejtësi më të madhe se shpejtësia e lejuar gjoba është 120 euro.
Patenta e shoferit do të vlejë deri në moshën 75-vjeçare.
Për të gjitha gjobat, qytetarët do të marrin urdhër-pagesë që nëse e paguajnë në afat prej 8-të ditësh, do t’i japin vetëm gjysmën e shumës së dënimit.
Gjobat që nuk do të ndryshojnë shumën e parave
Ndryshim të dënimeve nuk do të ketë për vozitësit në gjendje të dehur apo droguar, ata që vozisin me shpejtësi mbi të lejuarën, por edhe ata që nuk japin përparësi kalimi për shkak se janë arsyeja më e shpeshtë për aksidente. Nëse këto njërën nga këto 3 kundërvajtje, shoferi e përsërit brenda 5 vjetëve, të njëjtit do t’i merret patenta e shoferit.
Gjithashtu edhe gjobat më të vogla, të cilat zakonisht janë prej 40-50 euro nuk do të ulen.
Disa prej gjobave që mbeten të njëjta:
Vozitësi i cili e drejton automjetin në gjendje të droguar do të dënohet me 400 euro dhe do t’i merret patenta e shoferit në periudhë prej 6 deri në 12 muaj. Vozitësi i cili e drejton automjetin në gjendje të dehur do të dënohet me 400 euro dhe do t’i merret leja në periudhë prej 3 deri në 12 muaj.
Nëse vozisni në vendbanim me shpejtësi mbi 50 kilometra në orë më shumë se sa shpejtësia e caktuar në shenjë, gjegjësisht e lejuar, do të dënoheni me 400 euro dënim dhe do t’u merret patenta e shoferit në periudhë prej 6 deri në 12 muaj.
Nëse vozisni në vendbanim me shpejtësi mbi 30 deri në 50 kilometra në orë më shumë se sa shpejtësia e caktuar në shenjë, gjegjësisht e lejuar, do të dënoheni me 300 euro dënim dhe do t’u merret patenta e shoferit në periudhë prej 6 deri në 12 muaj.
Nëse vozisni në vendbanim me shpejtësi mbi 10 deri në 30 kilometra në orë më shumë se sa shpejtësia e caktuar në shenjë, gjegjësisht e lejuar, do të dënoheni me 45 euro.
Nëse vozisni në autostradë, apo rrugë jashtë vendbanimeve ku shpejtësia është e caktuar 90/110 apo 130 kilometra në orë, me shpejtësi mbi 70 kilometra në orë më shumë se sa e lejuara, do të gjobiteni me 400 euro dhe do t’u merret patenta e shoferit në periudhë prej 6 deri në 12 muaj. Me 300 euro dhe do t’u merret patenta e shoferit në periudhë prej 6 deri në 12 muaj ata që vozisin mbi 50 kilometra në orë mbi të lejuarën dhe me vetëm 45 euro dënim ata të cilët lëvizin me shpejtësi mbi 30 kilometra në orë mbi të lejuarën.
Nëse nuk i jep përparësi kalimi automjetit që sipas ligjit ka përparësi, gjegjësisht atij që e ke në anën e djathtë, dënimi është ashtu siç ka qenë 300 euro.
Dënimet mbeten të njëjta gjithashtu edhe për shoferin i cili nuk mban rrip sigurie, gjegjësisht 40 euro, ndërkaq për bashkudhëtarin 50 euro.
Gjithashtu, do të dënohet me 50 euro edhe këmbësori i cili nuk e respekton semaforin, gjegjësisht kalon derisa është e ndezur drita e kuqe e semaforit.
Portalb.mk