Në rrjetet sociale sot në ora 11:30 nisi iniciativa e qytetarëve të Tetovës për largimin e selisë së Bashkimit Demokratik për Integrim nga Tetova.
Kërkesat do t’i publikojmë në mënyrë integrale.
Qytetarët e Tetovës shprehin fuqishëm indinjatën dhe zhgënjimin e tyre nga bisedat e përgjuara telefonike, ku personalitete të ndryshme dhe vet tetovarët janë ofenduar rëndë.
Kohët e fundit të gjithë jemi dëshmitarë nga ajo që po dëgjojmë në këto biseda të eksponentëve kryesorë të një partie politike, që është në pushtet gati 20 vite.
Niveli i ulët i komunikimit, inskenimet e situatave para-politike, emërimet, denigrimi i pozitës së femrës shqiptare në shoqëri, shantazhet ndaj kundërshtarëve poltik dhe familjeve të tyre, nënçmimi ndaj atyre që mendojnë ndryshe, korrupsioni dhe demotivimi i brezave për një të ardhme më të mirë në këtë shoqëri, janë sinjale që këto personazhe nuk meritojnë të jenë vendim-marrës për procese të rëndësishme që kanë të bëjnë me jetët tona.
Prandaj, kërkojmë urgjentisht që selia e kësaj partie, pra e Bashkimit Demokratik për Integrim të largohet nga Tetova në afat të pacaktuar kohor.
Kërkojmë edhe angazhimin e antarëve të ndershëm tetovarë të kësaj partie që të bëjnë presionin e tyre, që kjo parti mos të mbetet peng e personave me hipoteka të ndryshme nga e kaluara. Kjo së pari do të jetë për të mirën e tyre e pastaj edhe për qytetarët e Tetovës dhe rrethinës më të gjerë.