Ofensiva “diplomatike” e Ali Ahmetit në SHBA dhe në Evropë për zgjidhjen e kontestit të emrit, për të cilën ai shkruan në letrën e gjatë, drejtuar Metju Nimicit, “rastësisht”, përputhet me kohën kur Gruevski dhe qeveria e tij, në të cilën merrnin pjesë edhe ministrat e BDI, përpiqeshin Maqedoninë ta shndërronin në fitore të parë të Rusisë mbi Amerikën.
Shkruan: Xhevdet Hajredini
Pikërisht në atë kohë VMRO, bashkë me BDI i realizonin projektet e antikuizimit të Maqedonisë dhe e zbatonin projektin “Shkupi 2014”, i cili kushtoi afër 1 miliard euro para të qytetarëve të shtetit më të varfër në Europë. Projekte të cilët, Greqia posaçërisht me të drejtë dhe me sukses i përdori për veton kundër pranimit të Maqedonisë në NATO dhe BE.
Dhjetë vjetë sa kanë qenë në pushtet të përbashkët BDI me VMRO, asnjëherë nuk ka ndodh Ali Ahmeti të drejtojë qoftë edhe një fjalë kritike kundrejt Gruevskit përkundrazi, para do kohe e theksonte se me “zotin Gruevski ka bërë punë të mira dhe të vlefshme”.
Përmbajtja e letrës dërguar Metju Nimicit nuk mund të kuptohet ndryshe, përveç se si propagandë e vrazhdë dhe primitive për promovim personal si dhe shembull shkollor i hipokrizisë.
Përndryshe, dihet se udhëtimet e Ali Ahmetit, Gruevski dhe ministri i jashtëm i tij Nikolla Popovski çdo herë i quanin shëtitje turistike.
Përpjekjet shumë vjeçare të Metju Nimicit, edhe pse meritojnë respekt, fatkeqësisht nuk dhanë rezultat, kurse Ali Ahmeti “punët e mira” i ka bërë me Nikolla Gruevskin, siç edhe vetë e theksonte.
“Punën e mirë” e kryen Zaevi dhe Ciprasi me ndihmën e zgjedhësve që i sollën në pushtet. Me shqiptarët të cilët votuan për LSDM dhe jo për BDI, kurse në Greqi për Sirizën e Ciprasit.
Merita kanë edhe “miqtë tanë ndërkombëtarë” nga SHBA, BE, të cilët e detyruan Ali Ahmetin të shkëputet nga Gruevski me të cilin e robëruan dhe e vodhën shtetin.
Paralajmëroi Ali Ahmeti se në dhjetor të 2013 aeroplanët me politikanë nga Evropa dhe SHBA do të presin radhën mbi aeroportin e Shkupit që të vinin në vizitë në Maqedoni. E vërteta ishte se nuk zbriti asnjë aeroplan.
Nuk kaloi shumë kohë dhe “të gjithë miqtë tanë ndërkombëtarë” bashkëbisedues të Ali Ahmetit, nga raporti i Rajnhard Pribes, i hartuar nga ekipi në të cilin merrnin pjesë edhe inspektorë eminent për luftën kundër mafias, u informuan për “punët e mira të kryera” të Ali Ahmetit me Gruevskin.
Nga letra e sipërpërmendur është interesant të shkëpusim disa fragmente interesante:
- Një “mik i madh” ka porosit funksionarë të SHBA që ta dëgjojnë Aliun sepse ai ka një hall të madh, pasi ka marë rrugën për të ardhë deri këtu, ose “unë në këtë rrugëtim ndiqja përbetimin tim rilindas për përkatësi drejt perëndimit”, “për ta larguar këtë gurrë të rëndë mbi gjokset tona, këtë litar të shtrënguar në qafë”, “mirënjohje i shpreh edhe sekretarëve të përgjithshëm të OKB ndër vite për përkushtimin e tyre dhe kontributin ndaj procesit”, “erdhi dita i dashuri Met që të të them u kry”, “ja ku jemi sot. Të ngadhënjyer. Të duruar, të ngadhënjyer.”, “por, i dashuri miku im u bë edhe kjo punë”, “por akoma kemi punë për të bërë”(!)
Është për tu theksuar në fund se Ali Ahmeti gjatë vizitave, siç thotë ai vetë, në kongresin e SHBA, DASH, Pentagoni, Qeveri, misionet e disa vendeve anëtare të Këshillit të Sigurimit, në asnjë rast nuk përmend me emër dhe mbiemër, qoftë edhe një personalitet.
Rimarrja e përmbajtjeve është e NDALUAR NË TËRËSI, përveç me leje të shkruar nga CIVILi edhe atë vetëm sipas Kushteve për përdorim, të drejta autoriale dhe mbrojtja e privatësisë. Thyerja e të drejtave të autorit është e ndaluar me ligj.
Foto: Viktor Popovski/kolektif.mk