Me 57 vota “për”, pa asnjë kundër ose të përmbajtur, Kuvendi e miratoi Ligjin e ri për prokurime publike. Ligji do të fuqizohet nga muaji prill.
Siç kumtoi Ministria për Financa, Ligji i ri për prokurime publike është i harmonizuar me rregulloren e BE dhe do të sigurojë shpenzimin racional të parave të shtetit, konkurrencë të lirë dhe të drejtë dhe transparencë gjatë prokurimeve publike.
Ministri i financave Tevdovski theksoi se ligji paraprak është bazuar në direktivat për prokurime publike të Bashkimit Evropian nga viti 2004, ndërsa ndërkohë ishin sjellë ndryshime dhe plotësime të shumta të cilat e larguan nga ligjvënia evropiane. Nga kjo arsye, ishin të nevojshme ndryshime themelore dhe gjithëpërfshirëse, në pajtim me praktikat aktuale evropiane.
Tevdovski tregoi se Ligji i ri përmban zgjidhje që do t’i mbrojnë të drejtat e punëtorëve që marrin pjesë në zbatimin e marrëveshjeve për prokurim publik, gjegjësisht, marrëveshje të rezervuara me qëllim nxitje të rritjes inkluzive dhe punësimit të grupeve të rrezikuara sociale.