Zgjedhjet për president shteti, sipas Kushtetutës së Republikës së Maqedonisë, duhet të shpallen para mbarimit të mandatit të presidentit aktual të shtetit. Mandati i dytë pesëvjeçar i Ivanovit, skadon më 12 maj.
Sipas paralajmërimeve të kryetarit të Kuvendit, Talat Xhaferit, zgjedhjet presidenciale do të shpallen më 8 shkurt. Rrethi i parë do të mbahet më 12 prill, ndërsa i dyti më 5 maj.
Edhe pse në opinion spekulohet me të madhe për kandidatët e mundshëm për president shteti, deri tani asnjë parti nuk doli me kandidat,
Procedurat për zgjedhjen e kandidatëve duhet të fillojnë në ditët e ardhshme.
Pritet që sonte në seancën e Këshillit Qendror të paralajmëruar për ora 19, LSDM ta fillojë procedurën, ndërsa sipas informatave të deritanishme, partia do të vendos mes Radmilla Shekerinskës, Oliver Spasovskit, Stevo Pendarovskit dhe Nikolla Dimitrovit, si zgjidhje nga më neutralet, të cilat sipas anketave të porositura nga partia, kanë treguar rezultate më të mira.
Kështu, profesori Denko Maleski i cili gjatë këtyre ditëve shpesh përmendej si një nga kandidatët e mundshëm konsensual, i demantoi këto informata.
“Në mungesë të komunikimit me partitë, dhe me ndjenjë të pakëndshme se bëhem mjet i manipulimit, përkujtoj se nuk jam kandidat presidencial dhe kërkoj që emri im menjëherë të ndalohet të shfrytëzohet në kontekst të zgjedhjeve të ardhshme presidenciale”, thotë Maleski në deklaratën e tij për “Plusinfo”.
Nga ana tjetër, Bashkimi Demokratik për Integrim, si kandidatë të mundshëm konsensual i propozon, Stevo Pendarovskin, Zoran Zaevin, Laze Elenovskin, Luan Starovën, Vllado Popovskin dhe Denko Maleskin. Këto shpekulime shkaktuan kritikë të ashpër nga Muhamed Zekiri nga LSDM. Zekiri para pak kohësh ishte një nga emrat që përmendeshin për kandidaturë të mundshme.
Shefi i diplomacisë Nikolla Dimitrov thotë se e ka nderin të përmendet si një nga kandidatët e mundshëm të LSDM në zgjedhjet e ardhshme presidenciale, por përkujton se tani është momenti kur përqendrimi duhet të vendoset në profilin e presidentit të ardhshëm i cili i duhet shtetit.
Dimitrov në emisionin Top -tema në TV Telma theksoi se pas më tepër analizave të kësaj ideje, për argumentet për dhe kundër, nuk e përjashton këtë mundësi, por shtoi se rol shumë të rëndësishëm tani kanë anketat dhe mendimi i qytetarëve.
Në VMRO-DPMNE për momentin bilanci është dy kandidatë të paraqitur për president. Njëri është Vllatko Gjorçev, ndërsa tjetri është anëtar partiak i panjohur për opinionin. Afati për paraqitjen e kandidaturës për president nga VMRO -DPMNE skadon më 31 janar.
Maja Ivanovska