Hitleri me gjithë mundësitë synonte diskreditimin e Ajnshtajnit (hebreut). Kështu, ai pat organizuar fushatën negative të njohur si – “Njëqind shkencëtarë kundër Ajnshtajnit”. Kur shkencëtari me famë e kishte dëgjuar këtë, me ironi kishte deklaruar: “pse njëqind, sikur të mos isha në të drejtë do mjaftonte vetëm një”!
Assesi të shteret numri i atyre, këtu e Greqi, që gjithë kohën çirren për atë se Marrëveshja e Prespës qenka tradhti! Megjithatë, kryeministri Zaev dhe Tsipras bënë një kthesë revolucionare në kodin mental të politikanit ballkanik. E shembën mendjen e errësuar të politikanit ballkanik nga e cila vështirë se depërtohej drita. Me një betejë të mundimshme të Sizifit, procesi në vendin tonë është përfunduar me sukses, dhe e njëjta gjë pritet të ndodh edhe te fqinji ynë. Kjo ishte një betejë shumë e ashpër në mes forcave të patriotizmit të vërtetë dhe atij mashtrues, mes integrimit dhe izolimit, mes progresit dhe varfërisë, mes eksodit dhe ndalimit të migrimit, si dhe “në mes” të shumë gjërave tjera. Përfundoi epoka kur ngriheshin lartë statujat që të poshtërohen njerëzit, në fytyrat e të cilëve imponohej buzëqeshje kure thellë në zemrat e tyre kullonin plagët. Erdhi fundi i saj, kur në themelet e fatkeqësive kolektive ndërtohej fati personal i dikujt. Nuk gjenin zgjidhje për asgjë, përveç për xhepat e tyre ku gjenin zgjidhje afatgjate.
Ditë më pare, Rusia e Putiniste qe “e shqetësuar” aq shumë për “imponimin e një zgjidhjeje të emrit në mënyrë jo demokratike” dhe se paska pasur defekte madje edhe në “legjitimiteti” i ndryshimeve! Tani thonë se – “qëndrimi i Federatës Ruse mbetet i pandryshuar: një zgjidhje e qëndrueshme duhet të gjendet pa presion të jashtëm dhe pa imponim të afateve dhe kushteve, mbi bazën e mbështetjes së gjerë shoqërore – në Republikën e Maqedonisë dhe Greqisë – dhe vetëm brenda kornizave ligjore. Ne nisemi nga ajo se kjo çështje duhet të shqyrtohet nga Këshilli i Sigurimit të OKB-së në përputhje me pikën 3 të Rezolutës 845 të Këshillit të Sigurimit të OKB-së.”
Siç duket dikush po kërkon qime në vezë. Kushdo që ka lexuar tri fjali nga të Karta e OKB-së (dhe Rezoluta 845), do të thoshte se pasi që të dy shtetet sovrane paskan kanë rënë dakord, OKB-ja më këtu nuk ka çfarë të bëjë përveç se të duartrokasë dhe të ngrejë dolli. Pika 3 e Rezolutës 845 kërkon vetëm që të informohet Këshilli i Sigurimit nga Sekretari i Përgjithshëm i OKB-së, dhe ajo gjë vetëm se konstatohet dhe përshëndetet. Miratim apo veto as edhe në ëndërr. Por, problemet reale të Rusisë nuk janë as demokracia, as legjitimiteti, e aq më pak shqetësimi për Maqedoninë. Ajo, me përfshirjen e saj në Maqedoni dhe Ballkan, dëshiron të zgjidhë problemet e saja duke krijuar probleme për rajonin. Ajo e di shumë mirë se dhimbjet e saja – Krimeja, Luganjcki, Donjetcku, Rrjedha Turke (gazsjellësi), problemet me Bellorusinë, heqjen e sanksioneve dhe daljen në detet jugore – mund të shërohen vetëm nëse krijohet konflikt i armatosur ballkanik. Kështu, ajo vet do të faktorizohej në raport me Perëndimin për të rivendosur paqen këtu (por, tani me kufij tjerë dhe me një milion viktima). Pikërisht për këtë arsye ne së pari duhet të përcaktojmë se cili ishte roli i tyre në përpjekjen e grusht shtetit në vendin tonë?!
Përkundrazi, kataklizma e vërtetë këtu do të kishte ndodhur nëse nuk do të zgjidhej ky problem afatgjatë, për të cilin tashmë kemi paguar një çmim shumë të shtrenjtë. Vallë a nuk arritëm nga vendi i dytë në rajon (pas Sllovenisë) në vendin e fundit, pastaj plaçkitja patriotike e më shumë se pesë miliardë eurove (para tonat), pastaj kolapsi i përgjithshëm ekonomik, eksodi i paparë, diktatura shumëvjeçare, tentimi për grushtet, etj. Dhe tani, dikush që ka qenë pjesë e asaj fatkeqësie të përgjithshme, në mënyrë shumë të ulët dëshiron të mburret me Ligjin për gjuhët, të njëjtin që nuk mundën ta bënin plot 10 vjet lidhje dashurie me VMRO-në. Pikërisht mu për shkak të një qeverisje të tillë aq të keqe, tani është zvogëluar në mënyrë drastike numri i atyre që do të mund ta përdornin gjuhën e tyre amtare në të gjitha nivelet.
Skeptikët pyesin – se çka nëse Greqia nuk arrin ta ratifikojë marrëveshjen? Investimi është shumë i madh që të ndodhë diçka e tillë. Kjo është vetëm teorikisht e mundur. Madje sipas ndonjë mrekullie, edhe sikur ajo të ndodhë, Maqedonia nuk do të ketë aspak pengesa për të vazhduar me proceset integruese. Ajo e ka përfunduar pjesën e saj të detyrimeve. Madje edhe opozita aktuale greke si pushtet, nuk do të mund ta kundërshtojë ratifikimin e Protokollit të NATO-s. Por, më e rëndësishmja prej të gjithave është ajo se në kushtet e “shteteve të papërfunduara” të Ballkanit (marrëdhëniet Serbi –Kosovë, separatizmi i Republikës Srpska në Bosnje e Hercegovinë), forcimi i radikalizmit në vetë UE për shkak të refugjatëve dhe azilkërkuesve, si dhe ftohja e marrëdhënieve SHBA-UE, Maqedonia sërish është një pikë e madhe e ndritshme për riorientimin e proceseve rajonale në drejtim të zgjidhjes së problemeve mes veti dhe përshpejtimin e procesit euro-atlantik në gjithë Ballkanin Perëndimor. Kurse Hristijan Mickoski thotë – “nuk ka rëndësi nëse jeni një shtet i vogël apo i madh, por me rëndësi është nëse keni të drejtë, sipas normave ndërkombëtare”! E pra ai duhet të dijë se edhe Beluxhët dhe Kurdët janë popull me 30 milionë banorë dhe kanë të drejtë vetëvendosjeje (si normë ndërkombëtare), e megjithatë nuk kanë shtetet e tyre!
Pa zhvillim, çdo gjë është e kotë!
I gjithë ky investim aq i madh politik ndërkombëtar, mund të bjerë në ujë nëse nuk ndodh një kthesë serioze ekonomike në vend. Këtu duhet t’i përkushtohet një energji më e madhe si në planin mikro ashtu edhe në atë makro. Duhet të thjeshtohen të gjitha procedurat, në mënyrë që të stimulohen resurset dhe investimet e brendshme, sado që të vogla të jenë. Çdokush që ka ndonjë para te vetja, duhet të informohet se çfarë mund të bëjë me to. Atë e bëjnë madje edhe vendet më të zhvilluara, kurse te ne me muaj dhe vite, ministritë, komunat i destimulojnë ato kapacitete. Në këtë drejtim janë të nevojshme ndryshime serioze ligjore. Sepse mund që të ndodh në të ardhmen e afërt të kemi një shtet të riorganizuar, por të mos kemi dot njerëz në te. Shumë kompani tashmë ankohen se u kanë ikur punëtorët jashtë, ndërkaq tani shtetin e lëshojnë madje edhe shumë kuadro shtetërorë.
Thonë se nëse nuk arrijmë të zgjedhim një president do të pasojë një krizë kushtetuese! Po, ne a nuk mbijetuam një situatë kur kishim një president i cili vetë gjatë gjithë kohës prodhonte krizë kushtetuese! Tani mund ndoshta Zoti të na ndihmojë, edhe pse nuk besoj se një gjë e tillë mund të jetë e mundur me do prijës fetarë të cilët më lehtë bashkëpunojnë me ca perëndi të rreme të këtushme se sa me Perëndinë e vërtetë. Shumë vështirë e kemi ta kuptojmë se jeta është mjaft e thjeshtë, përveç nëse vet ne nuk e komplikojmë atë me talentin tonë. Shpesh ne dimë t’u gëzohemi boshllëqeve të mëdha, në vend që të punojmë në përmbajtje të vogla. Ata që duan të arrijnë diçka, nuk presin që ajo gjë të ndodhë vetvetiu, por ata vet iu ndodhin gjërave.