Diplomacia e Maqedonisë dhe ajo e Greqisë kanë reaguar ndaj qëndrimeve negative të Ministrisë së Jashtme të Rusisë për Marrëveshjen e Prespës dhe zbatimin e saj. Ministria e Jashtme vlerëson se marrëveshja për emrin me Greqinë nuk e tangon asnjë palë të tretë, e aq më pak Federatën Ruse.
Ministria e Punëve të Jashtme me keqardhje konstaton se departamenti për informim në Ministrinë e Jashtme të Federatës Ruse, përsëri, në kontest negativ, apostrofon procese autentike politike mes dy shteteve, të cilat shkojnë drejt zgjidhjes së problemeve, përforcimin e besimit dhe ndërtimin e miqësisë – thuhet në njoftimin e lëshuar nga Ministria e Jashtme e Maqedonisë.
Athina zyrtare kërkon nga shteti rus që të qëndrojë larg politikave të brendshme dhe të ruajë marrëdhëniet miqësore të ndërtuara ndër vite. Diplomatët grekë kërkojnë gjithashtu nga Rusia që të respektojë paktin e arritur me Maqedoninë.
Ne shprehim bindjen se Rusia e cila për vite me radhë e ka njohur IRJM-në si “Republika e Maqedonisë” do të respektojë sensibilitetin e popullit grek në përdorimin e emrit Maqedoni dhe do t’i referohet tani këtij vendi me emrin e ri kushtetues, Maqedonia e Veriut dhe më e rëndësishmja është që të përmbahen nga qëndrimet e tilla, sepse një gjë e tillë përbën ndërhyrje në punët e brendshme të Greqisë – thuhet në njoftimin e Ministrisë së Jashtme të Greqisë.
Këto reagime vijnë pas qëndrimit të Ministrisë së Jashtme të Rusisë kundër Marrëveshjes së Prespës, me pretekstin se kjo e fundit është miratuar kundër vullnetit të të dy popujve, atij grek dhe maqedonas por me këmbënguljen e Evropës dhe SHBA-ve. Kjo nuk është hera e parë që Rusia fajëson dhe akuzon bashkësinë ndërkombëtare për politikat në Ballkan.