Zëvendës kryetari i Qeverisë Bujar Osmani sot në Sekretariatin për çështje evropiane ka mbajtur brifing me ambasadorët e vendeve anëtare të BE në Maqedoni, dhe e prezantoi statusin e implementimit të Planit 18.
“Arritëm t’i mbyllim të gjitha çështjet e hapura politike, duke lënë hapësirë për implementim më të gjerë dhe më të thellë të procesit reformues”, theksoi Osmani në fillim të mbledhjes, duke referuar fillimisht për suksesin e implementimit të Marrëveshjes së Prespës përmes votimit të ndryshimeve kushtetuese në Kuvend.
Në vazhdim, Osmani iu referua aktiviteteve të realizuara të deritanishme të Planit 18, si dhe sfidave për implementimin e tij të mëtutjeshëm.
“Kemi progres serioz praktikisht në të gjitha sferat e Planit 18: në gjyqësor, ku numër i madh ligjesh janë në fazën finale; reforma në shërbimet e sigurisë, ku sistemi i përgjimit tani më është i ndarë në mënyrë adekuate nga sistemi i sigurisë dhe kundërzbulimit; ndërkaq progres ka edhe në aktivitetet e parapara me reformat në administratën publike”, theksoi Osmani, duke shprehur kënaqësi nga realizimi i Planit 18 në të gjitha sferat.
“Ditën e parë të punës këtë vit u thirr Komiteti i Punës për Integrime Evropiane, ku struktura më e lartë udhëheqëse e gjithë administratës shtetërore referoi për reformat e Planit 18, dhe personalisht jam i kënaqur nga përkushtimi i tyre”, theksoi Osmani, duke shprehur bindje të fortë para ambasadorëve se Plani 18 do të jetë i implementuar në kohë, me qëllim që zbatimi i tij të shënohet në mënyre adekuate në Raportin e ardhshëm të Komisionit Evropian për vendin.
Në fund Osmani shprehu mirënjohje deri te ambasadorët e vendeve – anëtare të BE-së, për mbështetjen e tyre në procesin reformues, dhe në përgjithësi, të integrimeve evropiane të vendit, duke shprehur shpresën se kjo mbështetje do të rezultojë me rezultate konkrete edhe këtë vit, që nga fillimi i negociatave për anëtarësim të plotë në Bashkimin Evropian, thuhet në kumtesën e Sekretariatit për Çështje Evropiane.