Incidentet serioze në qytetin e Tetovës që për epilog kanë pasur lëndime dhe humbje jetërash duket që i kanë ngelur tanimë të kaluarës. Festa e ndërrimit të moteve në këtë qytet, si në ambiente publike ashtu dhe në ato private dhe hotelerike, nga policia lokale është vlerësuar si e qetë dhe pa incidente të cilat janë rregjistruar në të kaluarën. Nga Sektori për Punë të Brendshme në Tetovë njoftojnë se janë paraqitur vetëm disa incidente më të vogla, pa dëme serioze materiale dhe pa të lënduar. Policia gjithashtu ka arrestuar edhe një person për shitje të fishekzjarreve. “Në Sektorin për punë të brendëshme Tetovë, gjatë manifestimit të ndrimit të moteve, nuk janë regjistruar incidente me pasoja serioze, gjegjësishtë mund të vlersojmë se nata e vitit të ri ka kaluar e qetë. Janë regjistruar disa prishje të rendit dhe qetësisë publike, edhe atë nëpër objekte hotelerike dhe përrethë tyre. Kemi pasur rastë ku janë konfiskuar mjete piroteknike ku personi është arestuar, si dhe disa persona tjerë të cilët kanë poseduar drogë”, njofton Fatmir Rexhepi, zëdhënës i SPB Tetovë. Fatmirësisht pa pasoja në njerëz kanë kaluar edhe disa zjarre në këtë rajon që gjithashtu janë lokalizuar falë intervenimit të shpejtë të njësisë së zjarrfikësve.
A. Zeqiri