Ka plasur sherri në Kuvend mes VMRO-DPMNE dhe LSDM, gjegjësisht kryeministrit Zoran Zaev, për atë se kush i do dhe kush i dëshpëroi më së shumti shqiptarët.
Në seancën parlamentare për pyetje të deputetëve, deputeti i VMRO-DPMNE-së Vlladimir Gjorçev i parashtroi pyetje kryeministrit Zoran Zaev se çfarë kanë bërë për shqiptarët gjatë kohës që LSDM ndodhen në pushtet, pas gjithë atij numri të madh që ka fituar nga votuesit shqiptar në zgjedhjet parlamentare. Gjorçev gjatë elaborimit të pyetjes së tij akuzoi se shqiptarët njësoj si gjithë qytetarët e tjerë në Maqedoni janë të zhgënjyer nga kjo Qeveri dhe sipas tij kjo është arsyeja e fluksit të lartë të migrimit. “Çfarë keni bërë konkretisht për shqiptarët në RM. Ju pyes për herë të tretë nga kjo foltore, tre herë deri më tani asnjë përgjigje konkrete nuk keni thënë. Keni marrë besim të madh nga shqiptarët. Shqiptarët ju kanë mbështetur duke besuar se do të ketë projekte, se do të ketë punësime, se do të ketë siguri. Për momentin shqiptarët në të gjithë Maqedoninë janë të zhgënjyer nga ju, në këtë moment nuk ka siguri në ato mjedise, për momentin ndodhin vrasje të pazgjidhura, gjuajtje me armë, ndodh që karrotreci e godet policen, ndodhin skandale në nivel lokal, ndodh fiasko në Haraçinën tuaj, ku këshilltari juaj ankohet çdo ditë nga kryetarja juaj, mandati i së cilës është fiasko totale. Keni eksod të njerëzve në Likovë, Gostivari është në listë të zezë, nuk keni bërë asnjë fabrikë në mjediset shqiptare”, tha Gjorçev.
Kreu i Qeverisë në përgjigjen e tij tha se ka punuar njëjtë në të gjitha rajonet e Maqedonisë dhe se shqiptarët në qeverisjen e tij trajtohen në mënyrë të barabartë me të gjithë qytetarët e tjerë në Maqedoni. “Sot në pjesën e punësimeve mbahet llogari, në mënyrë të barabartë të jenë të punësuar të gjithë, atë e kanë fituar më në fund shqiptarët në Maqedoni, në mënyrë të barabartë të jenë të punësuar si të gjithë qytetarët. Nuk mundeshin të vijnë deri tek ndihma sociale, pasi që nuk kishin të drejtë. Sot marrin ndihma sociale, gjithandej. Sot në mënyrë të barabartë punohet gjithandej në Maqedoni, unë lëshova ndërtimin e stacionit të filtrimit në rajonin e Likovës, unë isha në Haraçinë për ndërtesën e re të komunës, projektin për kanalizim së bashku e bëmë me komunën dhe është një projekt shumë I madh, tanimë janë ndarë mjetet për implementim. Shkupi e ka bërë projektin kryesor për lidhje të ujësjellësin me komunën e Haraçinës”, u përgjigj Zaev. Kjo është hera e tretë që në Kuvend deputetët e VMRO-DPMNE-së sulmojnë kreun e Qeverisë duke pyetur për gjendjen e shqiptarëve dhe rezultatet e Qeverisë në vendbanimet e banuara me dominim etnik shqiptar.
Arben Zeqiri