Kryeministri Zoran Zaev në takime me diplomatë perëndimorë, i ka njoftuar se për momentin ka të sigurt 76 deputetë që do të përkrahin ndryshimet kushtetuese në fazën përfundimtare.
Burime diplomatike thonë për Gazetën Lajm se Zaev është ankuar se sigurimi i 80 deputetëve në fazën e dytë po has në vështirësi të njëjta sikurse në fazën e parë, kur u hap kushtetuta.
“Pas miratimit të Ligjit për pajtim, disa deputetë kanë vendosur të përkrahin ndryshimet kushtetuese, mirëpo disa partnerë të LSDM-së pikërisht për shkak të këtij ligji tani shprehin rezerva. Disa kushtëzojnë që të mos arrestohet ndonjë ish funksionar i dyshuar, disa kushtëzojnë që të lirohet dikush që veçmë është arrestuar”, theksojnë burime diplomatike në Shkup, duke shtuar se arrestimet e disa funksionarëve të VMRO-DPMNE-së, kanë luhatur shumicën e 80 deputetëve.
Në opinion ekzistojnë dyshime se mundësinë për mospërkrahje të ndryshimeve kushtetuese e kanë paralajmëruar dy deputet të PLD-së, partisë e cila ishte në koalicion parazgjedhor me LSDM-në.
“Nuk mund t’i tregojmë me emra, por vetëm mund të konfirmojmë se edhe disa deputetë nga koalicioni që fitoi 49 deputetë në zgjedhjet e 2016-tës, tani tregohen të rezervuar”, kanë thënë këto burime për Gazetën Lajm.
“Ata nuk thonë as po, as jo, por ende nuk janë përcaktuar”, sqarojnë burimet tona. Për momentin nuk ka probleme me deputetët e kampit politik shqiptarë, të cilët pa përjashtim do të përkrahin ndryshimet.
Nga qeveria për momentin nuk japin qëndrim zyrtar lidhur me numrin e deputetëve që janë të sigurt se do të përkrahin ndryshimet.