Sot në Qeveri do të organizohet debati i parë nga pesë debatet publike për katër draft-amendamentet kushtetuese. Pas pesë ditëve Qeveria duhet të dorëzojë Raport në Kuvend dhe kryetari i Kuvendit, Talat Xhaferi për 30 ditë të caktojë seancë plenare për të cilën nevojitet shumicë prej dy të tretave për miratimin përfundimtar të ndryshimeve kushtetuese.
Qeveria kumtoi se organizon seri diskutimesh publike me opinion ekspertësh dhe me qytetarët lidhur me draft-amendamentet për ndryshimet e Kushtetutës së Republikës së Maqedonisë, me qëllim të inkluzivitetit në procesin historik për sigurimin e ardhmërisë evropiane dhe euroatlantike të Republikës së Maqedonisë.
Diskutimi i parë publik do të mbahet nesër me fillim në orën 16:30, në Sallën solemne në Qeveri, ndërsa folës do të jenë kryeministri Zoran Zaev dhe profesorët universitarë Vllado Popovski dhe Lubomir Fërçkovski.
Të enjten, diskutim publik do të mbahet në mesditë në Universitetin FON. Folës do të jenë kryeministri Zoran Zaev, rektori i FON-it, profesorët universitarë Nano Ruzhin dhe Temelko Ristevski.
Diskutimi i tretë publik do të mbahet të premten me fillim në orën 10:00 në Akademinë e Shkencave dhe Arteve të Maqedonisë. Folës do të jenë zëvendëskryetari i Qeverisë i obliguar për çështje evropiane, Bujar Osmani, ministri i Punëve të Jashtme Nikolla Dimitrov, profesori akademik Vllado Kambovski dhe profesori universitar, Svetomir Shkariq.
Dy diskutimet e fundit do të mbahen të hënën më 10 dhjetor në Shtip dhe në Tetovë.
Në diskutimin në komunën e Shtipit folës do të jenë kryeministri Zaev, gjykatësja Margarita Caca Nikollovska dhe profesori universitar Gjorgji Spasov.
Në diskutimin publik në Universitetin e Evropës juglindore në Tetovë, do të flasin zëvendësja e kryetarit të Qeverisë dhe ministrja e Mbrojtjes, Radmilla Shekerinska, zëvedëskryetari Bujar Osmani dhe profesorët universitarë Besa Arifi dhe Blerim Reka.
Seanca plenare për miratimin e katër draft – amandamenteve përfundoi të hënën, ndërsa për miratimin e tyre nevojitej shumicë e thjeshtë. Partitë në pushtet i kanë përkrahur ndryshimet, VMRO-DPMNE-ja opozitare ishte kundër, ndërsa për tre nga amandamentet të përmbajtur ishin deputetët nga grupi i pavarur i deputetëve të VMRO-DPMNE-së dhe Koalicionit “Për Maqedoni më të mirë”, me përkrahjen e të cilëve është hapur Kushtetuta, duke i kushtëzuar votat e tyre me procesin e pajtimit.
Me amandamentin e parë parashikohet që në Kushtetutë fjalët “Republika e Maqedonisë” të zëvendësohen me fjalët “Republika e Maqedonisë Veriore”, ndërsa fjala “Maqedoni” zëvendësohet me fjalët “Maqedonia Veriore”, përveç në nenin 36, i cili ka aspekt historik dhe ka të bëjë “me të drejtat e posaçme sociale të luftëtarëve nga Lufta antifashiste dhe të gjitha luftërat nacional-çlirimtare të Maqedonisë”.
Me amandamenitn e dytë në Preambulën e Kushtetutës fjalët “vendimet e KAÇKM-së” zëvendësohen me “Shpallja e Seancës së parë të KAÇKM-së” dhe shtohet Marrëveshja e Ohrit.
Në amandamentin e tretë thuhet se “Republika i respekton sovranitetin, integritetin territorial dhe pavarësinë politike të shteteve fqinje”, ndërsa i katërti ka të bëjë me mërgimtarët dhe në të parashikohet që Republika t’i mbrojë të drejtat dhe interesat e shtetasve të tyre të cilët jetojnë ose qëndrojnë në vendet e huaja, dhe i avancon lidhjet e tyre me atdheun, dhe se me këtë rast nuk do të përzihet në të drejtat sovrane të shteteve tjera dhe në punët e brendshme të tyre.