Seanca gjyqësore për rastin “Magjar Telekom” në të cilën janë të akuzuar tre drejtorë të mëparshëm të kësaj kompanie, për ryshfet, është anuluar për më 25 janar.
Shtyrja erdhi pas kërkesës së Prokurosisë Speciale Publikapër arsye të kompletimit të dokumentacionit voluminoz për këtë lëndë. Kjo ishte seanca e parë gjyqësore me prokurorët special prezent në sallë, nga marrja në procedurë nga PSP.
Në këtë lëndë, tre drejtorët akuzohen se në vitin 2005 kanë arritur marrëveshje me funksionarët e shtetit që të iu japin 19.5 milion euro, me qëllim që të mos lejohet futja e operatorit të tretë në Maqedoni. Por për shkak se pjesërisht u zbuluan, dyshohet të jenë dhënë vetëm 4.8 milion euro.
Marrëveshjet e fshehta mes kompanisë dhe Qeverisë raportohet të jenë bërë përmes një firme greke. Në dy marrëveshjet jo ligjore të arritura, qëndron firma e drejtorëve të Magjar Telekom dhe funksionarëve të lartë të qeverisë së atëhershme, e udhëhequr nga Vllado Buçkovski. Dyshimet janë se BDi aso kohe ka kërcënuar drejtorët se nëse brenda 2 muaj nuk u jepet ryshfet edhe atyre, do ta prishin marrëveshjen.
Sipas akuzës, në këtë rast janë nënshkruar gjashtë marrëveshje të rrejshme përmes një firme greke. Kjo aferë mori dimension tjetër kur agjenti imëparshëm i drejtorisë për kundërzbulim, Sllobodan Bogoevski, para gjykatës së Nju Jorkut ku gjykoheshin 3 ish-drejtorët tjerë për rastin e njëjtë, dëshmoi se ryshfet për këtë aferë kanë marrë, ish-kryeministri Vllado Buçkovski, kreu i BDI-së Ali Ahmeti, ish zv.kryeminsitri Musa Xhaferi, i ndjeri Abdylhalim Kasami dhe se i përzier ka qenë edhe ish kreu i LSDM-së, Branko Cërvenkovski.
Sipas Bogoevskit, ryshfet kanë marrë edhe anëtarë të VMRO-DPMNE: Jankullovska, Mijallkov dhe Gruevski. Ndërkaq, Ahmeti dhe Xhaferi e akuzuan Bogoevskin për shpifje dhe e fituan gjyqin, por më pas, Gjykata e Apelit e hodhi poshtë vendimin e Gjykatës Themelore.
D. J.