Ambasadorët e Gjermanisë dhe të Holandës, Tomas Gerberih dhe Vauter Plomp janë të vendosur se pajtimi nuk nënkupton mosndëshkim dhe se kryerësit e veprave penale patjetër të përgjigjen për të njëjtat, duke komentuar azilin e Nikolla Gruevskit dhe propozim- ligjin për amnistinë e 27 prillit.
“Lidhur me kërkesën për azil të Nikolla Gruevskit, nuk do të përzihem në punën e pavarësisë së sistemit gjyqësor, por jam i bindur për një punë, pajtimi i shoqërisë si një tërësi, mund të arrihet vetëm nëse njerëzit që kanë kryer vepër penale marrin përgjegjësi për të njëjtat. Pajtimi nuk nënkupton mosndëshkim”, ka potencuar Gerberih në promovimin e tuining-projektit “Forcimi i sistemit ndëshkues- përmirësues dhe shërbimi provues”.
Ai ka shtuar se një nga reformat kyçe në vend është reforma e sistemit gjyqësor, të krijohet shoqëri që do të angazhohet në bazë të sundimit të së drejtës dhe respektimit të të drejtave dhe lirive të njeriut.
“Ky tuining- projekt vjen në periudhë të rëndësishme për Maqedoninë pasi me epilogun pozitiv në procesin e implementimit të Marrëveshjes së Prespës, shpresoj se do të hapet rruga e inkuadrimit të vendit tuaj në NATO dhe BE dhe atëherë Qeveria e Maqedonisë do të mund të koncentrohet në proceset reformuese që do të mund të sjellin në krijimin e shoqërisë së re demokratike në Maqedoni, ku do të dominojë siguria juridike”, ka thënë Gerberih.
Ambasadori gjerman ka theksuar se me realizimin e këtyre qëllimeve do të ndihmohet të përmirësohet shërbimi provues dhe të përmirësohen kapacitetet e shtetit në shërbimet provuese, si dhe vetëdija e komunitetit që këto persona të ri-integrohen.
Ambasadori holandez nga ana tjetër ka thënë se lidhur me nevojën e pajtimit, ajo nuk do të thotë mosndëshkim, duke përkrahur këto qëndrime të ambasadorit gjerman.
“Holanda disa herë e ka theksuar rëndësinë e sundimit të së drejtës jo vetëm në përmbushjen e kritereve për anëtarësim në Union, por edhe përmirësimin e standardit jetësor në Maqedoni. Lidhur me nevojën e pajtimit, patjetër të përsëris se pajtimi nuk nënkupton mosndëshkim, plotësisht i mbështes qëndrimet e koelgut tim gjerman”, deklaroi Plomp.