Мinistri i kulturës Asaf Ademi në takim joformal me gazetarët njoftoi se qytetarët dhe artistët do të mund ta kontaktojnë drejtprdrejtë për çdo parregullsi dhe keqpërdorim që mund të bëhen në kuadër të Programit Kulturor Vjetor për vitin 2019.
“Unë nuk jam “supermen”, prandaj kërkoj edhe nga ju që të denonconi çdo parregullsi që mund ta shihni. Do të vë në funksion edhe numrin personal, në të cilin do të mund të paraqitet çdo qytetar, a artistë që ka vërejtur se ka parregullsi në realizimin e Programit Vjetor, apo edhe se është keqpërdorur nga ndokush”, tha Ademi.
Ademi njoftoi se për projektet që do të financohen në kuadër të Programit Vjetor Kulturor 2019 janë dorëzuar 5000 aplikacione, ndërkohë që komisionet punuese do të nisin aktivitet më 21 nëntor, e mërkurë. Rezultatet do të publikohen gjatë periudhës 28-31 janar të 2019-s.
Kryetarë të Komisioneve janë: Suat Kamberi (veprimtaria interdisciplinare), Pleurat Gashi (veprimtaria: Folklor, muzikore-skenike), Berton Sulejmani (veprimtaria botuese), Petar Arsovski (veprimtaria e dramës), Trajçe Bllazhevski (artet vizuale), Aneta Serafimova (trashëgimia kulturore e paluajtshme), Milla Shurbanovska (veprimtaria muzikore dhe trashëgimia kulturore jomateriale), Vildane Idrizi (veprimtaria bibliotekare), Xheladin Llokmani (investime).
“Do të respektohet afati ligjor prej 45 ditëve pas miratimit të Buxhetit të RM, që të kumtohen rezultatet. Gjatë periudhës 28-31 janar të 2019 do të publikohen rezultatet fillestare me emrin, mjetet e kërkuara dhe të aprovuara”, tha Ademi.
Ministri ka informuar për konkursin aktual që është në rrjedhë e sipër e që është shpallur për herë të parë këtë vit “Evropianët e Rinj”, si dhe për konkurset tjera, si: për ndarjen e kompensimeve mujore për artistët e pavarur, për përkrahjen e përsosjes profesionale të talenteve të reja dhe kuadrove deficitarë, për konkursin e Bienales së Venedikut për art, si dhe për “Valën e Re Kulturore”.
Në takimin joformal është folur edhe për raportin e grupit punues për kontroll të punimeve të rikonstruimit të Teatrit Shqiptar të Shkupit.