Kryetari i Aleancës për Shqiptarët, Ziadin Sela ka kërkuar dorëheqje nga Kryeministri Zaev dhe formim të menjëhershëm të qeverisë eksperte, pas arratisjes së ish kryeministrit Nikolla Gruevski. Sela kërkon përgjegjësi edhe nga të gjitha institucionet përkatëse, ndërsa nga Gjykata Themelore kërkoi të hap procedurë për të gjithë ata që kanë dijeni se e kanë organizuar dhe i kanë ndihmuar Gruevskit për arratisjen jashtë shtetit.
“Sot, të gjithë qytetarët që besonin në sistemin ligjor, janë të dëshpëruar nga ky pushtet. Ne, më shumë herë kemi paralajmëruar se gjykata e vmroizuar do të kalojë në atë të Lsdmizuar, dhe kjo sot u bë realitet. Kërkojmë që Zaevi dhe Qeveria të japin dorëheqje. Menjëherë të formohet qeveri eksperte e cila do të përqendrohet në reformat në gjyqësorin, të përgjigjen të gjithë gjykatësit për skandalet për të cilat jemi dëshmitarë Arratisja e Gruevskit nuk është rati i parë, të gjithë që duhet të përgjigjen për krimin janë në arrati. Për shembull, Grujoski,Boshkoski, Koçan…”, tha Sela në konferencën për shtyp.
Sela kërkoi edhe zgjedhje të parakohshme parlamentare të cilat do të organizohen bashkë me ato presidencialet.
Kërkesa të ngjashme kanë edhe nga Besa e Kasamit, të cilët thanë se organet e përndjekjes kanë dështuar dhe kanë lejuar që Gruevski të arratiset dhe se duhet të marrin përgjegjësi, që sot, në vend se në Shutkë, Gruevski gjendet në Budapestë.
“Kjo është çështje shumë e rëndësishme për institucionet e shtetit të cilat për fat të keq dështuan në një moment tepër delikat, sepse nuk bëhet fjalë për një qytetar të thjeshtë i cili ka probleme me ligjin, por për kreministër të mëparshëm për të cilin këtu në Kuvend kishte edhe procedurë për marrjen e mandatit dhe njeri i cili për 11 vite ishte në krye të shtetit”, tha deputeti Fadil Zendeli.
D. Tahiri