Në konferencën e sotme të dytë buxhetore të Odës Ekonomike të Maqedonisë, në të cilën ishte i pranishëm edhe kryeministri Zoran Zaev, bëhej fjalë edhe për zgjedhjet eventuale të parakohshme. Kryeministri Zoran Zaev tha se vitin e ardhshëm 2019 duhet ta shpallim si ekonomik, siç ishte ky vit i integrimeve dhe zgjedhjet parlamentare të kthehen në vijë normale dhe të jenë të rregullta, jo të mbahen para kohe.
Zaevi ka theksuar se mbajtja e zgjedhjeve të parakohshme parlamentare është humbëse për ekonominë, e rëndon punën e biznesit, e bën të paparë dhe e pamundëson planifikimin e saj.
“Të mos shkohet në zgjedhje, por t’i jepet shans ekonomisë. E dimë se si zgjedhjet parlamentare ndikojnë mbi biznesin nëse mbahen paralelisht me zgjedhje tjera siç do të jenë vitin e ardhshëm ato presidenciale. Zgjedhjet e parakohshme parlamentare e bllokojnë ekonominë për katër deri në gjashtë muaj. Zgjedhjet parlamentare të jenë të rregullta që t’i mundësohet biznesit të bëjë planet dhe hapat e paraparë”, ka thënë Zaev.
Paraprakisht, kryetari i Odës Ekonomike Branko Azeski ka shprehur bindjen se në vitin 2019 do të shpallet si vit ekonomik.
“Ne jemi për buxhet të zhvilluar, dhe pse është punë e vështirë. Do të bëjmë gjithçka që mundemi që viti 2019 të jetë vit i ekonomisë”, thotë Azeski.
Konferenca buxhetore ka filluar me paraqitjen e ministrit të Financave, Dragan Tevdovski i cili para biznesmenëve ka përsëritur projeksionet e Propozim- buxhetit për vitin 2019.
D. T.