Ish kryeministri Nikolla Gruevski edhe sot është i pakapshëm për policinë e cila gjurmon pas tij që të zbatojë vuajtjen e dënimit me burg prej dy vjetësh për lëndën “Tanku”. Për momentin nuk ka informacione të reja nga MPB. Nga atje thonë se policia vazhdon të veprojë pas fletë arrestit të lëshuar dhe se do ta informojë opinionin pasi të kenë të dhëna konkrete.
Policia mbrëmë disa bëri tentime për gjetjen e Gruevskit në shtëpinë e tij, por pa sukses. Ekipe të policisë kanë kërkuar edhe në selinë e VMRO-DPMNE.
Avokati i Gruevskit, Dimitar Dangov dje deklaroi se nuk ka njohuri se ku gjendet klienti i tij. Ai ka thënë se Gruevski nuk ka të drejtë ankese deri në Gjykatën Supreme për vendimin e Penales. Por, ka shtuar se do të përdorin gjitha mundësitë tjera juridike.
Kryeministri Zoran Zaev mbrëmë deklaroi se nuk pret që ish kryeministri Nikolla Gruevski do të largohet.
“Unë pres se ai nuk do t’i lejojë vetes të kërkohet për arrestim. Ai thoshte se nuk do të lejojë një gjë të tillë, të paktën të tilla janë informacionet e mia ”, tha Zaevi në pjesëmarrjen e tij në një emision në Televizionin e Maqedonisë.
VMRO-DPMNE akuzojnë se kundër ish liderit të tyre zhvillohet përndjekje politike.
“Vallë për personin për të cilin me vite zhvilloni përndjekje politike dhe e trajtoni si armik të shtetit thoni se nuk e dini se ku ndodhet?”, parashtron pyetjen lideri i VMRO-DPMNE-së Hristijan Mickoski duke shtuar se “deri dje, ashtu si edhe ai, na ndiqnit dhe na kërcënonit të gjithë”.
Sekretari i përgjithshëm i VMRO-DPMNE, Igor Janushev, ka paralajmëruar se partia do të ndërmarrë të gjitha mjetet e domosdoshme juridike dhe demokratike për keqpërdorimin e institucioneve dhe tentativën për të heshtur opozitën.
“Nëse policia ka urdhër për kontroll dhe me të vërtetë dyshon se Nikolla Gruevski fshihet në shtabin e partisë, mundet lirisht të vijë dhe ta vërtetojë, së bashku me ne. Kjo është një përndjekje politike dhe asgjë më tepër”, tha Janushev.
Fletëarresti i MPB u lëshua me kërkesë të Gjykatës Penale, pasi Gruevski nuk u paraqit në burg në afatin e paraparë, të premten më 9 nëntor. Gjykata dje pasdite në ora 16.30 ka dorëzuar deri te SPB Shkup kërkesë për fletëarrest ndaj Gruevskit, pasi ditë më parë korrierët nuk arritën t’ia dorëzojnë vendimin e Gjyqit me të cilin refuzohen ankesat e tij për me dënimin me burg për lëndën “Tanku”.
Nikolla Gruevski, krahas për lëndën “Tanku”, akuzohet edhe për raste tjera të hapura të PSP-së si “Dhuna në Qendër”, “Titanik”, “Trajektorja” dhe “Talir”.
D. Tahiri