Bashkimi Demokratik për Integrim dhe Aleanca për Shqiptarët, janë shprehur kundër propozimit të ministres për punë dhe politikë sociale, Milla Carovska, për ndërprerjen e kompensimit për fëmijën e tretë, me vlerë prej 8.000 denarë.
Në një deklaratë për televizionin Alsat-M, deputeti Artan Grubi ka thënë se grupi parlamentar i BDI-së, nuk do ta mbështesë këtë propozim në Kuvend. Deputeti i BDI, Artan Grubi thotë se grupi parlamentar i BDI-së nuk e mbështet heqjen e kompensimit prej 8.000 denarë për fëmijën e tretë. Sipas tij, vendimet e tilla duhet merren në mënyrë konsensuale dhe se Qeveria duhet të zbatojë politika për rritjen e natalitetit.
“Hera e parë që dëgjova për këtë propozim ishte nëpër mjetet e informimit, dhe vlerësoj se nuk është debatuar as në qeveri. Prandaj dhe them që politikat më të mira janë ato që ndërtohen në bazë të konsensusit dhe pëlqimit mes të gjitha palëve. Vlerësoj se duhet të hapet debat, por gjithsesi se qëndrimi jonë është se këto masa, në fakt kanë pasur rezultatin e dukshëm në veçanti te qytetarët me të cilët ne komunikojmë çdo ditë. Duhet të vijojnë edhe më tutje”, deklaroi Artan Grubi nga BDI. Nga Aleanca për shqiptarët kanë ngritur dyshime dhe pyesin se mos vallë ministres Carovska i ka penguar fakti që gjysma e shfrytëzuesve të kësaj shtese janë shqiptarë dhe se tek shqiptarët ka dhënë rezultate në rritjen e natalitetit. “Arsyetimet e paraqitura nga ana e ministres Mila Carovska nuk qëndrojnë dhe as që mundet të argumentohen, përkundrazi, te gjitha argumentet janë qe masa te vazhdon. Ky ligj ka stimuluar natalitetin, natyrisht jo në të gjitha komunat njësoj. Si duket Qeverisë i pengon se nga 26.150 familje qe pranojnë këtë ndihmë, 50% janë familje shqiptare”, tha në një konferencë për media, Elmi Aziri nga ASH.
Sipas tij, një fakt tjetër që shkon në dobi të vazhdimit të kësaj mase është ndikimi që kjo shtesë ka pasur në uljen e nivelit të varfërisë. ”Të dhënat e Entit statistikor flasin se shkalla e varfërisë para subvencioneve është 40,7 % ndërsa pas subvencioneve sociale është 22,7%, që është dëshmi se kjo mase se bashku me masat tjera ndikojnë ne uljen e varfërisë në vend, aq më tepër kur 50% e familjeve të varfra janë familjet me 3 dhe më tepër fëmije. Gjithashtu kjo masë kontribuon në përmirësimin e pabarazisë në shpërndarjen jo të drejtë të ardhurave kombëtare ne Maqedoni qe është më e larta në Evropë”, theksoi Aziri.
A. Zeqiri