Komisioni për çështje mandati- imuniteti dje e miratoi propozimin e gjyqit për marrjen e mandatit të Nikolla Gruevskit, që ta vuajë dënimin prej dy vjet në burg, për të cilin është gjykuar në rastin “Tanku”.
Anëtarët e VMRO-DPMNE u larguan nga seanca duke pretenduar se ky është proces politik dhe jo ligjor.
Grupi i ri i formuar i deputetëve në përbërje prej tetë deputetëve që votuan “për” ndryshimet kushtetuese deklaroi se nuk do ta mbështesin kërkesën e Komisionit për marrjen e mandatit, gjë me të cilën bëhet e qartë se në seancën plenare nuk do të arrihet numri i nevojshëm prej 80 votave.
Kryetari i komisionit Pavle Bogoevski tha se do të votojnë për propozimin e gjyqit sepse vepra për të cilën është dënuar Gruevski, e bën të pa denjë për funksionin. Kështu edhe ndodhi.
Vendimi i Komisionit shpjegohet me Nenin 59 nga Rregullorja e Kuvendit për procedurat, në të cilin thuhet se gjyqi duhet ta informojë kryetarin e Kuvendit kur të gjykohet një deputet për krim ose vepër tjetër penale, me të cilën deputeti bëhet i padenjë për pozitën e vet.
Vendimi do të shqyrtohet në seancën plenare të Kuvendit.
Pavarësisht nga përfundimi i seancës plenare, kjo nuk e përjashton ose parandalon shkuarjen në burg. Gruevski pati afat deri sot të paraqitet në burg për të vuajtur dënimin, por duket se ky afat do të vazhdohet.
Nga Gjykata Themelore Shkup 1 konfirmuan se kanë arritur 4 ankesa nga avokatët e Gruevskit, ndërsa pritet që edhe ai personalisht të ankohet që t’i prolongohet burgu. Nëse Gruevski e pret afatin e fundit për ankesë dhe e dërgon përmes postës, ankesa do të arrijë të premten. Ndërsa, sipas gjyqit, ka mundësi që Këshilli penal menjëherë të vendosë për ankesën.
Sipas zhvillimit të ngjarjeve, do të ishte befasi nëse Gruevski e respekton afatin e dhënë, gjë që nuk është e besueshme.
Mbrëmë në Shkup, para Gjykatës Penale u mbajt protestë për mbështetjen e Gruevskit, në të cilën të pranishmit kërkuan drejtësi dhe siç u shprehën “të ndërpritet përndjekja politike”.
M.Ivanovska
Përpunimi: D. Tahiri