Sot vazhdon debati për draft amendamentet e Kushtetutës së Republikës së Maqedonisë, në Komisionin për Çështje Kushtetuese. Debati filloi dje dhe duhet të zgjasë 12 ditë, tema kryesore ishin identiteti dhe emri i Maqedonisë. Seanca plenare në Kuvend ku do të diskutohet për draft amendamentet është caktuar për më 1 dhjetor 2018.
Dje, kryeministri i Maqedonisë, Zoran Zaev pasi sqaroi draft amendamentet kushtetuese, deklaroi se nëse Marrëveshja e Prespës nuk ratifikohet në Parlamentin e Greqisë dhe nëse nuk nënshkruhet protokolli për anëtarësim të Maqedonisë në NATO nga pala greke, ndryshimet kushtetuese nuk do të hynë në fuqi, edhe pse do të miratohen nga Kuvendi i Maqedonisë.
“Në vendimin do të shkruajë se këto amendamente janë pjesë e Kushtetuese dhe hynë në fuqi kur pala greke do ta ratifikojë marrëveshjen në parlament. Ndryshimet kushtetuese do të hynë në fuqi edhe kur nga pala greke do të nënshkruhet edhe protokolli për anëtarësim të Maqedonisë në NATO. Nëse Greqia nuk e përmbush kushtin e saj, ndryshimet kushtetuese nuk do të hynë në fuqi”, tha Zaev.
Procedura e ndryshimeve kushtetuese nisi si rezultat i Marrëveshjes së Prespës, por pas kërkesës së partive opozitare shqiptare, pjesë e procesit u bë edhe vendosja e Marrëveshjes së Ohrit në Preambulë.
“Vendosja e preambulës së Marrëveshjes së Ohrit është më se e nevojshme, ngaqë 14 Nene të Kushtetutës janë të Marrëveshjes së Ohrit. Ajo mundëson që të gjitha komunitetet të trajtohen njëjtë në Maqedoni”, tha Zaev.
Pas kësaj, fjalim ka mbajtur deputeti i VMRO-DPMNE-së, Trajko Veljanoski i cili uroi pushtetarët për situatën siç e quajti ai, më të relaksuar se më parë.
D. J.