Kryetari i Kuvendit të Republikës së Maqedonisë Talat Xhaferi sot do të realizojë koordinim me nënkryetarët e Kuvendit, koordinatorët e grupeve parlamentare dhe përfaqësuesit e partive politike të cilat nuk janë të organizuar në grupe parlamentare, me një pikë në rend dite – formimin e “Trupit ndërpartiak parlamentar për pajtim dhe integrim”.
Deputetët e VMRO-DPMNE-së nuk do të marrin pjesë në trupin për pajtim, sepse vlerësojnë se drejtësia nuk duhet të jetë selektive, por të gjithë që janë përfshirë në ngjarjet e 27 prillit të vitit 2017 të amnistohen. Ky ishte edhe një nga përfundimet në koordinimin e grupit të tyre parlamentar të cilën e mbajtën mbrëmë.
Në Kuvend nesër do të fillojnë debatet e komisioneve për draft-amendamentet për ndryshim të Kushtetutës, dhe për propozimin për marrjen e mandatit të deputetit Nikolla Gruevski, që sipas vendimit gjyqësor më së voni deri pasnesër duhet të paraqitet për vuajtjen e dënimit dyvjeçar me burg në bazë të gjykimit për rastin “Tanku”.
Draft-amendamentet për ndryshime kushtetuese, të cilat Qeveria të premten i konfirmoi dhe ia dorëzoi Kuvendit, nesër janë në rend dite të Komisionit për çështje kushtetuese. Në bazë të kësaj, deputetët e VMRO-DPMNE-së, siç kumtoi koordinatori i tyre Micevski, “do të debatojnë ashpër që t’i pasqyrojë të gjitha amendamentet kushtetuese dhe atë që po ndodh në Maqedoni”.
Për propozimin për marrjen e mandatit të Gruevskit, nesër do të kryesojë Komisioni për çështje procedurale dhe çështje të mandatit dhe imunitetit. Bashkëpartiakët e tij vlerësojnë se procesi është politik dhe qëndrimin e tyre do ta tregojnë në Kuvend.
“Në bazë të ligjit, dihet se kur dhe si merren mandati i deputetëve. VMRO-DPMNE-ja nesër do ta bëjë të ditur qëndrimin e saj në lidhje me këtë komision. Do të shohim se si do të paraqiten grupet tjera parlamentare”, shtoi dje Micevski. (MIA)