Emilia Nacevska dhe Ana Mitreska janë emëruar zëvendës guvernatore të Bankës Popullore të Republikës së Maqedonisë. Propozimi i guvernatores Anita Angelovska Bezhovska që Nacevska dhe Mitreska të zgjidhen zëvendës guvernatore të Bankës Popullore të Republikës së Maqedonisë u mbështet nga Kuvendi i Republikës së Maqedonisë më 18 tetor në suaza të seancës së 60-të. Një ditë më pas, siç informojnë nga BPRM, Nacevska dhe Mitreska dhanë betim solemn para kryetarit të Kuvendit Talat Xhaferi.
Nga BPRM theksojnë se në Kuvend janë votuar pa asnjë votë kundër.
“BPRM shpreh kënaqësinë që edhe kësaj here, Kuvendi i Republikës së Maqedonisë, pa asnjë votë kundër dhe pa asnjë të abstenuar, ka qëndruar pas përcaktimit që profesionalizimi i lartë të jetë nxitës kryesor gjatë udhëheqjes, sjelljes së vendimeve dhe punës së përgjithshme të bankës qendrore. Vetëm përcaktimi i tillë e garanton vazhdimësinë e udhëheqjes së suksesshme të politikës monetare dhe zhvillimin e punës së përgjithshme të bankës qendrore në vendin tonë”, qëndron në kumtesë. (MIA)