Ndaj kërcënuesit të Fejsbukut i cili përmes një postimi të shpërndarë në rrjetin social ka rrezikuar sigurinë e deputetëve të Kuvendit të Republikës së Maqedonisë do të ngrihet kallëzim penal.
Nga MPB-ja bënë të dituar se SPB Shkup në bashkëpunim me Sektorin për krim kompjuterik dhe forenzikë digjitale pranë Ministrisë së Punëve të Brendshme deri te Prokuroria Themelore Publike Shkup ngriti kallëzim penal kundër A.N. (38) nga Konjarja, për shkak të dyshimit për veprën e kryer penale sipas nenit 144 “Rrezikimi i sigurisë” dhe sipas nenit 394-g “Shpërndarjen e materialit racist dhe ksenofobik përmes sistemit kompjuterik” nga Kodi Penal i Republikës së Maqedonisë.
Pas urdhrit të dhënë nga Gjykata Themelore Shkupi 1 Shkup, dje është kryer bastisje në shtëpinë dhe hapësira tjera të A.N. me çka janë gjetur dhe marrë sende që kanë të bëjnë me hetimin, ndërsa A.N. është thirr për bisedë zyrtare në stacionin policor.
Nga policia informojnë se Sektori për krim kompjuterik dhe forenzikë digjitale edhe më tutje do të vazhdojë me aktivitetet me qëllim sanksionimin e rasteve të këtilla.
“I ftojmë të gjithë qytetarët të cilët janë të nënshtruar në kërcënime të tilla ose dëshmojnë për kërcënime të tilla, t’i denoncojnë në stacionin më të afërm policor ose në adresën [email protected]”, theksojnë nga MPB.
Ministria e Punëve të Brendshme thekson se nuk do të tolerohen kërcënime me jetë të qytetarëve dhe thirrje për dhunë dhe do t’i ndërmarr të gjitha masat e nevojshme për ruajtjen e rendit dhe qetësisë. (MIA)