Oda Ekonomie e Maqedonisë Veriperëndimore e rikthen Maqedoninë në raportin e Indeksit Global të Konkurrueshmërisë (GCI) i përgatitur nga Forumi Ekonomik Botëror (WEF).
Natyra e ndryshueshme e konkurrueshmërisë ekonomike në një botë e cila vazhdimisht nxjerr në pah teknologji të reja, është duke krijuar një sfidë të re për bizneset dhe qeveritë të cilave në mënyrë kolektive ju kanoset rreziku i ndikimit negativ në rritjen ekonomike dhe produktivitet.
Kjo, siç thuhet në kumtesë, është çështja kyçe e cila mund të vërehet në raportin e Indeksit Global të Konkurrueshmërisë të Forumit Ekonomik Botëror (WEF), i cili u publikua sot. Duke u bazuar në raportin i cili për këtë vit përdor metodologji të re që tërësisht të përfshihen në dinamikat e ekonomisë globale në Revolucionin e katërt industrial, shumë faktorë të cilët do të kenë ndikimin më të madh në konkurrueshmëri në të ardhmen nuk kanë qenë në fokusin e vendimeve më të rëndësishme politike në të kaluarën. Këtu përfshihen gjenerimi i ideve, kultura sipërmarrëse, qasje e hapur dhe shkathtësia.
Në raportin e vitit 2018 ka të dhëna për 140 ekonomi të cilat nëpërmjet 98 indikatorëve janë organizuar në 12 shtylla. Për çdo indikator, duke përdorur shkallë të vlerësimit prej 0 në 100, tregohet se sa një ekonomi mund të paraqitet si “shtet ideal” ose kufizohet në fushën e konkurrueshmërisë.
Nga kjo gjë mund të arrihet deri tek përfundimi që në secilin shtet të analizuar në këtë raport ka hapësirë për përmirësim. Nga ajo që mund të shihet nga ky raport është stagnimi i shumicës së shteteve në sferën e inovacioneve. Ballafaqimi me Revolucionin e katërt industrial është duke paraqitur një faktor i cili vendos për konkurrueshmëri. Me këtë raport, Forumi Ekonomik Botëror pasqyron se si ekonomitë e shteteve reagojnë në fushën e ndryshimeve globale.
Oda Ekonomike e Maqedonisë Veri-Perëndimore këtë vit paraqitet në rolin e partnerit institucional të Forumit Ekonomik Botëror (WEF), që si partner ka ndihmuar në përpilimin e këtij raporti të rëndësishëm i cili na njofton me të dhënat relevante të cilat bëjnë vlerësimin e konkurrueshmërisë, produktivitetit dhe prosperitetit të shteteve.
Kjo nënkupton që në raportin për këtë vit përfshihet edhe Republika e Maqedonisë. Në bazë të të dhënave, Maqedonia radhitet diku në mes ose vendi i parafundit në rajonin e Evropës dhe Amerikës Veriore. Raporti i vitit 2018 është transparent dhe paraqet imazh të vërtetë për Maqedoninë, pasi që bazohet në të dhëna reale në bazë të anketave dhe hulumtimeve të shumta të cilat janë zhvilluar nga ana e OEMVP-së. Kështu mund të fitohet një përshtypje më se e vërtetë për gjendjen faktike e cila është e pranishme në shtetin tonë, thuhet në kumtesën e OEMVP-së.
Globalizimi dhe inovacioni padyshim do të jenë çdoherë nxitës të shtetit deri tek arritja e përmirësimit të mirëqenies në vend. Këtu ndikim shumë të madh kanë politikbërësit kryesor të cilët do të ndikojnë në zhvillimin dhe përparimin e shtetit, duke i ndihmuar shtetit tonë në fusha të shumta nëpërmjet të së cilave do të arrihet ballafaqim i sigurt me trendet e reja botërore ekonomike dhe të të gjithë sferave tjera.
Në raportin e vitit 2018, Maqedonia është radhitur në vendin e 84-të nga 140 shtete të kyçura në Indeksin Global të Konkurruenshmërrisë. Ajo që është shqetësuese në shtyllën e parë ku janë Institucionet, Maqedonia është e radhitur në vendin e 85-të, gjë që tregon se biznesi has në vështirësi institucionale në funksionimin e tij. Gjithashtu, edhe në shtyllën e dytë – Infrastruktura, që është me rëndësi të jashtëzakonshme për një ekonomi të shëndoshë, vendi ynë radhitet në vendin e 80, gjë që dëshmon se kërkesat e OEMVP-së për të realizuar investime kapitale në infrastrukturë janë më se të rëndësishme.
Një aspekt tjetër shumë i rëndësishëm për ekonomitë është edhe Arsimi dhe kualifikimi cilësor i fuqisë punëtore në të cilën Maqedonia është radhitur në vendin e 81, ndërsa në nën-shtyllat që vlerësojnë cilësinë e arsimit profesional është në vendin e 130-të, gjë që përsëri dëshmon që në vendin tonë nuk kemi fuqi punëtore adekuate, gjegjësisht fuqi punëtore që i përshtatet kërkesave të tregut.
Sistemi financiar sipas këtij raporti, tregon që Maqedonia është e radhitur në vendin e 80-të, kurse përkrahje e lokomotivës së ekonomisë, gjegjësisht ndërmarrjeve të vogla dhe të mesme me kredi është radhitur në vendin e 114-të, tregues që e vërteton pamundësinë në qasjen e financave për NVM.
Ndërsa, notë apo rezultat pozitiv sipas këtij raporti, ka në nën-shtyllën e katërt – inflacioni, gjegjësisht mirëmbajtjen e normës pozitive të inflacionit, ku Maqedonia e ndan vendin e parë me 74 shtete të tjera. (MIA)