Qeveria do t’i qaset përpilimit të amendamenteve kushtetuese madje pasi të përfundojë me punën në Kuvend me votimin e nevojës për përpilimin e tyre dhe më së miri është ato të përgatiten së bashku me opozitën gjegjësisht të arrihet konsensus nacional. Këtë e deklaroi sot zëdhënësi i Qeverisë, Mile Boshnjakovski në konferencën e sotme për media kushtuar vendimeve nga seanca e 95-të e Qeverisë.
“Kryeministri Zaev tashmë tre ditë është në Kuvend. Të gjitha porositë janë thënë pastër dhe qartë nga foltorja e kuvendit. Duhet të ndërtohet konsensus nacional sepse siç thotë edhe kryeministri puna është tejet serioze. Amendamentet do t’i përpilojë Qeveria dhe më mirë është të përgatiten së bashku me opozitën gjegjësisht të arrihet konsensus nacional në frymë të Marrëveshjes së Prespës”, tha Boshnjakovski në pyetjet e gazetarëve për qëndrimin e Qeverisë në lidhje me letrën nga ndihmës sekretari i shtetit të SHBA-së për Evropën dhe Azinë, Ues Miçell, deri te lideri i VMRO-DPMNE-së dhe nëse është i mundur takim Zaev-Mickoski.
Sa i përket mënyrës me të cilën do të formulohen amendamentet dhe çfarë do të përfshijnë, do të bëhen të ditura sapo të përfundojë votimi në Kuvend, tha Boshnjakovski duke potencuar se nuk dëshiron të spekulojë për përmbajtjen e tyre.
Për letrën nga Miçel drejtuar Mickoskit, zëdhënësi i Qeverisë tha se kjo është e qartë vetvetiu dhe nuk ka çfarë të shtohet. (MIA)