Mediat botërore në raportet e tyre për referendumin e djeshëm në Maqedoni i theksuan mbështetjen e lartë për anëtarësim në NATO dhe BE dhe Marrëveshjen me Greqinë, por edhe jehonën e ulët të qytetarëve.
“Tajm” publikon se referendumi për ndryshim të emrit të Maqedonisë si pjesë e marrëveshjes që do ta hapë rrugën për anëtarësim në NATO mori mbështetje të madhe, por jehona e ulët e votuesve i theksoi pengesat që edhe më tej i mbeten vendit për hyrje në Aleancë.
“Kundërshtarët e ndryshimit të emrit bënë thirrje për bojkotim të votimit dhe kremtuan nëpër rrugë jashtë Parlamentit, kur shifrat u publikuan, duke brohoritur slogane dhe duke valëvitur flamuj. Megjithatë, Zaev e shpalli votimin si sukses”, njofton “Tajm”.
“Uashington post” shkruan se Maqedonia dje u kthye drejt krizës politike pasi referendumi për marrëveshjen që do ta hapë derën për anëtarësim në NATO dhe BE dështoi për shkak të mungesës së jehonës së nevojshme, duke e rritur mundësinë që vendi të bllokohet nga ato klube perëndimore viteve të ardhshme.
“Fushata ishte e ndjekur me vëmendje nga ana e udhëheqësve të Kremlinit dhe vendet perëndimore, të cilët e shikonin votimin si sinjal për drejtimin gjeopolitik të Ballkanit në kohën kur vendet e Rusisë dhe NATO-s ashpër garonin për ndikim në Evropë”, publikon “Uashington post”.
Si-En-En në raportet e tyre nga Maqedonia transmeton se kishte jehonë të ulët në referendumin për ndryshimin e emrit, në kushte të fushatës me dezinformata.
“Edhe krahas asaj që autoritetet e vendosën pragun e jehonës në 50 për qind, referendumi është konsultativ, që do të thotë se kryeministri Zoran Zaev mund ta aktivizojë procesin e amendamenteve kushtetuese për riemërim të Maqedonisë, pa e marrë parasysh rezultatin”, njofton Si-En-En.
Juronjuz publikon se jehona e ulët formoi re mbi Maqedoninë ku votuesit me shumicë të madhe i thanë “po” referendumit.
“Kryeministri Zaev thotë se është i vendosur që ta dërgojë Maqedoninë në Bashkimin Evropian dhe NATO dhe e quajti referendumin ‘sukses për demokracinë’, pasi u mbyllën vendvotimet. Zaev tani do të kërkojë që të sigurohet shumicë e nevojshme e dy të tretës nga Parlamenti me 120 vende deri javën e ardhshme, për ndryshime kushtetuese dhe fund të konfliktit shumëdekadësh me Greqinë fqinje. Nëse nuk ka sukses, kryeministri Zaev tha se alternativë e vetme do të ishte të shpallë zgjedhje të parakohshme”, transmeton Juronjuz.
“Njujork tajms” shkruan se të dyja palët pohojnë se kanë fituar në votimin në Maqedoni për ndryshim të emrit. Rezultatet nga referendumi në Maqedoni të dielën për ndryshimin e emrit të vendit ishin jo-bindëse – duke i çuar të dyja palët që të kërkojnë fitore. Por, vetëm 36,5 për qind e votuesve me të drejtë vote dolën në votim. Me jehonë kaq të ulët, marrja e mbështetjes së nevojshme nga Parlamenti i Maqedonisë do të mund të jetë e vështirë”, vlerëson “Njujork tajms”.
“Uollstrit xhurnal” publikon se jehona e ulët e votuesve i bën të dyshimta rezultatet nga referendumi në të cilin votuesit e Maqedonisë me shumicë të madhe e mbështetën marrëveshjen për ndryshimin e emrit të vendit në Maqedonia e Veriut, me ç’rast pastrohet rruga që vendi t’u bashkëngjitet klubeve më të fuqishme të Perëndimit.
“Rezultati është goditje për SHBA-në dhe BE-në, të cilët donin mbështetje më të fuqishme publike atje. Perëndimi e shikon hyrjen e Maqedonisë në BE dhe NATO si hap vital për stabilizim të rajonit në të cilin Perëndimi dhe Rusia gjithnjë e më shumë luftojnë për ndikim”, njofton “Uollstrit xhurnal”. (MIA)