Partia më e madhe opozitare në Kosovë, Lidhja Demokratike e Kosovës (LDK), i bën thirrje shqiptarëve në Maqedoni që të dalin në mënyrë masive të dielën në referendumin për emrin dhe të votojnë “pro”, raportoi korrespondenti i MIA-s nga Prishtina.
“LDK-ja vlerëson se vendi ynë fqinj, Maqedonia, është para një momenti shumë të rëndësishëm dhe historik për të ardhmen e popujve të saj. Të dielën qytetarët e Maqedonisë do të vendosin për të ardhmen evropiane të vendit të tyre, për prosperitetin dhe për sigurinë e rajonit tonë”, thuhet në komunikatën e kësaj partie.
LDK-ja vlerëson se është në interesin jetik të shqiptarëve të Maqedonisë dhe në interesin e shqiptarëve kudo që janë, që shqiptarët e Maqedonisë, të dielën, të marrin pjesë masivisht në referendum dhe të votojnë pro marrëveshjes historike.
“LDK-ja u bën thirrje shqiptarëve të Maqedonisë që këtë moment historik ta përdorin në interesin e tyre dhe në të mirë të së ardhmes evropiane të shtetit të tyre”, përfundon komunikata e LDK-së.