Nuk kam menduar fort për referendumin që do të mbahet këtu në Maqedoni, përkatësisht kam menduar se kjo është një çështje e zgjidhur, se të gjithë qytetarët do të dalin dhe do të votojnë “për” marrëveshjen e Prespës. Besoj, madje jam e bindur, se me Marrëveshjen e Prespës kanë fituar vetëm maqedonasit dhe sipas kësaj mendoja se ata do të dalin masivisht dhe do të votojnë “për” me shumicë absolute.
Ky ishte mendimi im.
Dyshimi im luhatej kur ishte në pyetje dalja e shqiptarëve. A do të dalin shqiptarët dhe nëse dalin a do të votojnë pozitivisht në referendum, ngase ata nuk janë përmendur fare në këtë marrëveshje me asnjë fjalë.
Doli se gjërat rrodhën me kahe të kundërta: disa media maqedonase, kryesisht të lidhura me partinë konzervative demokristiane VMRO DPMNE dhe disa individë të kësaj partie nuk u deklaruan qartë për marrëveshjen e Prespës.
Këtu nuk përfundon tregimi.
Në kohën kur politikanët më me ndikim të Perëndimit demokratik zbritën nga të gjitha anët në aeroportin e Shkupit që ta përshëndesin marrëveshjen e arritur në Prespë, duke e quajtur madje marrëveshje historike dhe ta mbështetin referendumin, pa pritmas nisën të ngrihen lartë zërat nga taborret e partive maqedonase me orientim djathtist që kërkonin të mos dilet në referendum, pra të bojktohet, duke shprehur shpresën e tyre të fundit se kështu do të nxjerrin ndonjë dobi politike personale, por diçka edhe për partitë e tyre. Ata niseshin nga supozimi se marrëveshja e Prespës është kundër interesave të maqedonasve. Nga kjo pikënisje i shfrytëzonin emocionet e masave të gjera duke prekur aty ku dhemb më së shumti në Ballkan, në parullën “atdheu në rrezik”. Për këtë u vu në lëvizje edhe gjuha e urrejtjes. U fyen kundërshtarët politikë, por më shumë shqiptarët, si gjithmonë, anise ata nuk ishin pjesë e marrëveshjes që e negociuan maqedonasit me grekët. Çne tash këto akuza që nuk janë të reja, por janë të nxjerra nga “arsenali” i shovinizmit serb, një zot e merr vesh. Pastaj vinin floskulat se maqedonasve u preket identiteti, gjuha, emri i shtetit, se ata nuk paskan shtet tjetër përveç Maqedonisë, siç e paskan shqiptarët Shqipërinë.
Shqiptarët ishin të matur gjatë gjithë këtyre proceseve, anise me këtë marrëveshje as humbin e as fitojnë gjë. Megjithatë ata do të dalin në referendum, më së shumti për shkak se për herë të parë në historinë e Maqedonisë pas pavarësimit partitë shqiptare janë të bashkuara për referendumin. Por, edhe për benefitet e vendit që do të fitohen pas hapjes se negociatave për hyrje në NATO dhe BE.
Mossuksesi eventual i referendumit do t’ia lërë Maqedonisë emrin BJRM me decenie e decenie ose një zot e di sa vite. Po ashtu, po dështoi referendumi edhe integrimet duhet të harrohen. Maqedonia do të mbetet një oazë e pasigurisë, e mjerimit ekonomik dhe e përpjekjeve të parreshtura të rinisë për ta braktisur vendin.
Këtë duhet ta presin djathtistët nëse eventualisht dalin parashikimet e tyre. Veç kësaj ata duhet ta dinë se Perëndimi nuk do ta ketë Maqedoninë pikë rreth së cilës do të sillet, siç sillet toka rreth diellit. Po as vendet lindore nuk do të lëshojnë vrap që të vijnë këtu me thasë me miell pse referendumi paska dështuar. Vendet e mëdha të lindjes i shikojnë interesat e tyre, të cilat thuaja aspak nuk përputhen me ato të Maqedonisë.
Përveç kësaj, po ndodhi befasia e pakëndshme me referendumin (që s’do të ndodhë), atëherë antikuistët maqedonas do ta marrin vesh se nuk është e vërtetë se Maqedonia është më e moçmja, fill pas diellit, siç kanë qejf të thonë, por mund të ballafaqohet me fillimin e fillimit. Kuptohet, pastaj do të vijnë vështirësi të mëdha e mjerim.
Megjithatë përpjekjet për bojkot të referendumit vazhdojnë.
Tash në procesin e përgatitjeve përfundimtare të referendumit, kur data e mbajtjes po afrohet me të shpejtë, kur të gjitha parashikimet flasin se referendumi do të jetë i suksesshëm, kërkohen alibi të reja për pengesa. Se marrëveshja për emrin nuk bën, nuk u pati sukses, se preket identiteti edhe kjo doli arsyetim i zbehtë. Nuk po u kalon as “faji” i shqiptarëve.
Të mbetur në një vend që e merr era në të gjitha anët, pa tokë të sigurt politike nën këmbë, para pikëpyetjes së madhe e cila kanoset me pyetjen çfarë do të ndodhë në skenën politike pas referendumit, çfarë do të ndodhë pas një varg procesesh që do të fillojnë nga integrimet evroatlantike deri te intensifikimi i investimeve, nga hapat e parë të daljes nga mjerimi ekonomik e politik e deri te hapja e kufijve të vendeve më demokratike për Maqedoninë, djathtistët po e humbin orientimin. Kah t’ia mbajnë? Shpëtimin e kërkojnë te presidenti. Dhe, presidenti ua plotëson dëshirën. Atëherë del ai në Amerikë, në vendin që i dha mbështje të parezervë Maqedonisë dhe marrëveshjes, ku deklaron se do ta bojkotojë referendumin, që do të thotë se del presidenti dhe hyn në rreshtin e ushtarëve partiakë të djathtistëve maqedonas. Ai, jo se do ta ndërrojë rrjedhën e mbarë të proceseve demokratike. Për fat të keq vetëm tregoi haptas se kurrë nuk ka qenë president i të gjithë qytetarëve dhe u dha krahë grindavecëve të rrjetave sociale e të disa opinionistëve djathtistë maqedonas që të kërkojnë “fajtorë”, të cilët kuptohet ku “i gjejnë”.
Është çudi se si mund të sillen kështu kundërshtarët e referendumit, si mund të duan një rezultat negativ kur ky, përveç mjerimit ekonomik, do të ketë si rrjedhojë që shkollat, çerdhet e fëmijëve dhe fakultetet të zbrazen. Nuk do të dëgjohen më zëra fëmijësh këtu, përveç zërit të kambanave dhe të myezinëve. Peizazhi “do të stoliset” vetëm me pleq që parqeve luajnë tablla, letra e domino. Dhe, me heshtje. Pastaj vjen ai rrëfimi i Platonit për Atlantidën, për atë vend i cili është fundosur, që do të thotë se është zhdukur, duke e lënë pas vetes vetëm emrin i cili pluskon nëpër imagjinatat e njerëzve që kërkojnë metafora e simbole retorike ose poetike.
Një atmosferë qesharake dhe e pikëllueshme, në të njëjtën kohë.
Çfarë mund të thuhet si përfundim? Natyrisht djathtistët maqedonas duhet të ndihmohen ta kuptojnë momentin historik në të cilin jetojnë. Në radhë të parë ky do të jetë detyrim i partive shqiptare, të cilat në këto çaste u treguan më të emancipuara dhe të bashkuara dhe për herë të parë shkojnë drejt të njëjtit qëllim: në referendum për një Maqedoni evropiane.
Detyra e tyre, pra e partive shqiptare, si pjesë e koalicionit qeveritar, është që t’i përveshin krahët dhe të bëjnë çmos në mënyrë që t’i çlirojnë njerëzit nga paragjykimet për shqiptarët dhe ta largojnë përgjithmonë bindjen se shqiptarët janë fajtorë për të gjitha dështimet në këtë vend, se gjuha shqipe e dëmton maqedonishten dhe përfundimisht se shqiptarët janë “të huaj” në vendin e tyre.
Kjo kolumnë është pjesë e iniciativës qytetare “Ec përpara!”, e financuar nga Fondacioni Shoqëria e Hapur – Maqedonia. Përmbajtja është përgjegjësi e autorëve dhe në asnjë mënyrë nuk mund të konsiderohet e i shpreh këndvështrimet dhe qëndrimet e iniciativës qytetare “Ec përpara!”.