Presidenti francez, Emanuel Makron, iu drejtua me një video mesazh qytetarëve të Maqedonisë përpara referendumit. Në këtë video mesazh ai thotë se marrëveshja me Greqinë siguron një të ardhme për vendin dhe beson në urtësinë e qytetarëve.
“Zonja dhe zotërinj, të dashur miq, do të doja t’ju merrja pak nga koha juaj që t’ju drejtohem drejtpërdrejt.
Ka më se 25 vjet, që dy vendet tona kultivojnë marrëdhënie diplomatike. 25 vjet histori të përbashkët dhe fate të lidhura mes popujve tona, rrënjët e të cilëve janë të rrënjosura thellë përgjatë shekujve.
Në këtë kontekst në vitet e fundit janë bërë shumë gjëra, por më 17 qershor të vitit 2018 u ndërmor një hap i madh dhe shumë i rëndësishëm.
Ky hap u arrit me guximin e liderëve tuaj, midis vendit tuaj dhe Greqisë, i cili i dha fund një mosmarrëveshjeje 27-vjeçare .
Marrëveshja e ashtuquajtur dhe e njohur me emrin “Marrëveshja e Prespës” e 17 qershorit të vitit 2018 mundëson përparim dhe përgatitje për të ardhmen. Pyetja e referendumit më 30 shtator të këtij viti ka të bëjë pikërisht me këtë marrëveshje.
Jam i njohur me të gjitha polemikat që po ndodhin dhe të cilat janë pjesë e debatit demokratik në vendin tuaj. Por nga këtu ku jam, sepse besoj në kontinentin tonë, në fuqinë e Evropës në fuqinë e mençurisë kolektive dhe në bashkëpunimin e ndërsjellë, do të doja të ndërlidhesha dhe t’ju tregoj atë që unë besoj. E di se asnjë marrëveshje nuk është e përkryer. E di se për disa kjo nuk është mjaftueshmërisht afatgjatë, e për ca të tjerë që do të kishin negociuar ndryshe. I dëgjoj të gjitha kritikat që janë bërë.
Deri para disa muajsh askush nuk shpresonte për këtë marrëveshje. Ka mbase 27 vite që pritej kjo marrëveshje. Kjo marrëveshje u bë e mundur për shkak të guximit të udhëheqësve tuaj dhe udhëheqësve grekëve. Prandaj unë e mbështes atë. Plotësisht! Fuqimisht!
Mendoj se ajo ka një vend qendror në planet për të ardhmen e vendit. Ajo është gjithashtu edhe thelbi i ambicieve të rinisë suaj dhe ajo që mund të bëjmë së bashku në vitet në vijim.
Miq të dashur, të nderuar zonja dhe zotërinj, kjo pra është porosia e qartë dhe modeste që dua t’jua dërgoj. Unë nuk mund ta vë veten në vendin tuaj sepse ju votoni në mënyrë të pavarur në këtë debat politik që është i rëndësishëm për shtetin tuaj.
Është çështje e juaj që të zgjidhni dhe të vendosni, nëse jeni për ndryshim të kushtetutës apo jo, në mënyrë që kjo marrëveshje të bëhet e vlefshme
Të bëheni Maqedonia e Veriut sipas kësaj Marrëveshje. Unë jam i vendosur PËR dhe besoj fuqishëm se kjo marrëveshje është e mirë. Për Ju, për tërë rajonin dhe për Evropën. Shpresoj në mbështetjen tuaj”, thotë presidenti francez Manuel Makron në video mesazhin të cilin i dërgoi qytetarëve të Maqedonisë në prag të referendumit. (MIA)