Jemi në një moment të rëndësishëm dhe kyç për Maqedoninë. Ju jeni e ardhmja dhe jam e bindur, sipas të gjitha anketave, se një pjesë e madhe e të rinjve të Maqedonisë nuk ka dilema se çfarë shteti dëshirojnë dhe çfarë të ardhme dëshirojnë, i porositi ministrja e Mbrojtjes, Radmilla Shekerinska në hapjen e sotme pjesëmarrësit e Universitetit veror të katërt mobil në Ballkan në Fakultetin Juridik “Justiniani i Parë”.
Ajo përkujtoi se pothuajse para tre dekadash politikanët dhe qytetarët e këtij shteti u pajtuan se duan Maqedonia të jetë më e fuqishme, më e sigurt dhe më prosperuese, në mënyrë që do të bëhet anëtare e BE-së dhe NATO-s dhe premtuan se do t’i zgjidhin të gjitha problemet që janë pengesë në atë rrugë.
“Si Qeveri, si njerëz po përpiqemi ta bëjmë pikërisht atë. Të gjejmë zgjidhje për problemet të cilat për një kohë të gjatë e brengosin këtë vend. Deshëm që këtë problem ndoshta më i vështiri në historinë e Maqedonisë në pikëpamje të marrëdhënies së saj me fqinjët ta zgjidhim në mënyrë dinjitoze gjë që do t’u tregojë qytetarëve të Maqedonisë se është e mundur të bësh kompromis, ndërsa ta ruash, përforcosh dhe vërtetosh gjuhën maqedonase, identitetin dhe kulturën maqedonase. Kjo na i hap dyert në NATO dhe në BE dhe krijon perspektivë”, nënvizoi Shekerinska në fjalim.
Shekerinska para pjesëmarrësve të universitetit veror midis tjerash potencoi se nuk e kemi luksin të krijojmë dekadë të humbur për Maqedoninë.
Duke informuar se tema kryesore e Universitetit veror mobil në Ballkan është “Shtetet ballkanike dhe marrëdhëniet e tyre me BE-në dhe Organizatat rajonale ndërkombëtare: perspektiva për inkuadrim”, profesori Goran Koevski nga Fakulteti Juridik, midis tjerash theksoi se qëllimi është të hetohet nëse modelet e ndryshme për integrim mund të jenë alternativë për BE-në dhe për përfshirjen e vendeve ballkanike.
Katrin Fruninsfeld, atashe kulturore në Ambasadën e Gjermanisë në Shkup, theksoi se Maqedonia si edhe vendet e tjera ballkanike me perspektivën evropiane në BE duhet të realizojnë reforma politike, ekonomike dhe sociale dhe të kenë baza solide legale.
“Shpresoj se në të ardhmen e afërt do të ketë edhe bashkëpunim të afërt akademik midis Greqisë dhe Maqedonisë”, deklaroi Fruninsfeld, e cila vitin e parë të karrierës diplomatike e ka kaluar në Selanik. (MIA)