Tregjet në Evropë nuk kanë pengesa për të importuar produktet maqedonase, por ajo çka u mungon kompanive të Maqedonisë është të përmbushin standardet e duhura që janë të pranueshme në Bashkimin Evropian.
Në këtë njoftojnë nga Oda Ekonomike e Maqedonisë dhe kompanitë e huaja të cilët shohin potencial për bashkëpunim me firmat e Maqedonisë.
“Shohim potencial të madh për bashkëpunim me tregun maqedonas, këtë e tregojnë edhe numrat, apo në gjysmën e parë të këtij viti këmbimi tregtar është rritur. Veçmas vlerësohet cilësia e bashkëpunimit. Pra, kërkohen partnerë të cilët posedojnë certifikatë të njohur nga BE”, ka thënë Marline Burgstaler, zëvendës udhëheqës i Sektorit tregtar të Ambasadës austriake në Republikën e Serbisë, përgjegjëse edhe për Maqedoni e cila sot është në Shkup bashkë me përfaqësues të kompanive austriake nga industria elektronike dhe metaleve.
Edhe nga Oda Ekonomike e Maqedonisë pohojnë se përmbushja e standardeve evropiane është ajo që u mungon kompanive të Maqedonisë.
“Tregu austriak dhe tregu në Evropë nuk kanë pengesa në importimin e produkteve maqedonase, veçmas në industrinë elektronike dhe të metalit, por në mundësitë e bashkëpunimit vërehet edhe mungesë e standardeve adekuate që kompanitë maqedonase duhet t’i përmbushin që të mund të jenë serioz dhe konkurrues në tregjet e Evropës”, ka thënë Daniella Mihajllovska nga Oda Ekonomike e Maqedonisë para takimeve të sotme të punës mes kompanive të Austrisë dhe Maqedonisë.
“Kërkojmë partnerë të rinjë me të cilët do të bashkëpunojmë. Ne jemi këtu dhe ofrojmë mbështetje për partnerët tanë, pra kemi ekip të ekspertëve të kualifikuar që vijnë tek furnizuesit tanë dhe ndihmojnë në ngritjen e nivelit të prodhimit në nivel që të mund të përmbushin kushtet për ceritifikatat e tyre”, ka thënë Markus Gruber nga “Putinger lan teknik”.
Ajo që për investitorët e huaj paraqet problem që të investojnë në vend, sipas zëvendës udhëheqëses Burgstaler, janë sundimi i të drejtës dhe korrupsionit, por siç thotë, “Maqedonia ka bërë përparim të madh në muajt e fundit”.
“Nëse e lexoni raportin për përparimin nga ana e BE-së do të shihni se aty është e shkruar gjithçka. Aty flitet për mungesë të sundimit të së drejtës, probleme me korrupsionin…Por sipas mendimit tim duke e lexuar tërë raportin mendoj se aty ka një ton optimist. Është vërtetuar se Maqedonia ka bërë progres të madh në disa muajt e fundit dhe shpresojmë se ajo kështu do të vazhdojë”, ka thënë Burgstaler.
Këmbimi tregtar mes Maqedonisë dhe Austrisë në vitet e fundit shënon rritje në vazhdimësi veçmas në rritjen e ekpsortit të produkteve maqedonase në tregun austriak dhe dinamikë më të vogël të rritjes së importit nga Austria. Në shtatë muajt e fundit të këtij viti këmbimi tregtar në total kap vlerën 183.2 milionë dollarë amerikan që paraqet rritje prej 77.11 për qind krahasuar me periudhën e njëjtë vitin e kaluar. Austria këtë vit është partneri i 12-të tregtar në Maqedoni për dallim nga viti 2016 kur ka qenë në vendin e 19-të. Në 2016, sipas të dhënave të Bankës Popullore të Maqedonisë Austria ka pasur më shumë investime në Maqedoni. (MIA)